E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrimi i pasurive, përplasje Min. Financave e Krimeve të Rënda

TIRANË- Mos sekuestrimi i llogarive bankare të krimit të organizuar në kohën e duhur ka sjellë përplasje midis Zëvëndës Ministrit të Financave Alfred Rushaj dhe kryetares së Gjykatës së Krimeve të Rënda Etleva Deda, gjatë një tryeze analize të organizuar në Ministrinë e Drejtësisë për ligjin antimafia dhe shërbimin përmbarimor. Zëvëndës Ministri i Financave kërkoi një bashkëpunim të të gjithë institucioneve për një efekshmëri më të madhe të ligjit antimafia.

“Sekuestrimi i një llogarie bankare do të ishte pothuajse humbje kohe nëqoftëse nuk do të kishim paraprakisht një kordinim të prokurorit të gjykatësit, të përmbaruesit dhe të administratorit. Sepse ndjekja në këtë rast e rrugës formale të njoftimit thjesht do bënte të mundur që të kishim një letër të shkruar, por paratë në bankë do ti jepnin mundësi personit konkret që të mund ti transferoheshin. Është shumë e domosdoshme që të kemi një bashkëpunim paraprak të të gjithë këtyre institucioneve. Në kohë reale nga momenti qe vendimi i sekuestrimit merret në po të njëjtin moment të bëhet vendosja e sekuestros mbi llogarinë bankare”,- deklaroi Zv/Ministri i Financave Alfred Rushaj

Kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda ja ka faturuar përgjegjësinë për hetimin e pasurive që do të sekuestrohen oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorisë.

“Hetimin pasuror në lidhje me pasuritë që do të sekuestrohen e bën oficeri i policisë gjyqësore i cili ja parashtron prokurores dhe më pas prokurori me një kërkesë i drejtohet gjykatës. Pra janë ato që bëjnë hetimin pasuror nëse kjo pasuri tjetërsohet gjatë gjykimit apo më tej edhe gjatë ekzekutimit, pra sikur rezultoi se nuk është shprehur për tokën apo për ndërtesa, mund të ndodhi pasi mund të tjetërsohet në vazhdimësi gjykata nuk është vënë në dijeni për tjetërsimin e asaj pasurie. Gjykata shprehet në lidhje me atë kërkesë që organi i Prokurorisë i sjell për të vepruar, për sekuestrim e më tej për konfiskim”,- kryetarja e Gjykatës e Krimeve të Rënda Elteva Deda.

Qëllimi i kësaj tryeze dy ditore do të ketë në objektin e saj analizimin e problematikave të funksionimit të ligjit antimafie të miratuar në vitin 2009 si dhe shërbimin përmbarimor privat.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›