Matura, matematika, modelet e testeve për tre profile gjimnazesh
Publikohen modelet e testeve për provimin e dytë me detyrim të Maturës, Matematikës, për tri drejtimet më kryesore të gjimnazeve. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve rreth konceptimit të testit të provimit, gazeta boton sot, testet e vjetshme të provimit të Matematikës, për gjimnazin e drejtimit të përgjithshëm, natyror dhe shoqëror. Ndërkaq, i njëjti model testi do të përdoret edhe për provimin e sivjetshëm të Matematikës, përveç ndryshimit të të dhënave që kanë ushtrimet. Aktualisht, në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, specialistët e përzgjedhur nga ministri i Arsimit, kanë nisur punën për hartimin e tezës së provimit të dytë më detyrim të Maturës Shtetërore, që do të zhvillohet në datën 15 qershor në të gjitha shkollat e vendit. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, testi i provimit të Matematikës, sikurse edhe ai i Letërsisë që u zhvillua në ditën e parë të këtij muaji, do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat, 13 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe sa do të jetë përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social kulturore. Kështu, në shkollat profesionale, Letërsia do të vlerësohet me 15%, kurse Matematika me 25%. Në shkollat social kulturore: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 25%, Matematika, 15%. Në shkollat pedagogjike: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 20%, Matematika, 20%. Notat e dy provimeve të detyruara do të shënohen në Dëftesën e Pjekurisë.
10 Qershor 2010