E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet e vështira, zbardhet lista e punëtorëve që do të përfitojnë pagë shtesë



Jonida Tashi
Zbardhet lista zyrtare e profesioneve të vështira që do të përfitojnë një pagë shtesë mujore. Bëhet fjalë për një listë të gjatë profesionesh, duke filluar që nga puna në miniera e deri te ato në arsim dhe kulturë. Specialistët e Ministrisë së Punës dhe ata të Institutit të Sigurimeve Shoqërore disponojnë listën e punëve të kategorisë së parë, që njihen ndryshe si profesione të vështira. Ndërkaq, këto profesione do të përfshihen edhe në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, që pritet të miratohet nga qeveria.
Punët
Inspektorati Shtetëror i Punës ka detajuar rreth 100 punë, që do të bëjnë pjesë në strategjinë e punës, që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria. Pas miratimit të draftit të ri për punët e vështira, të punësuarit në këto profesione do të punojnë në kushte më të lehtësuara pune, duke u liruar disi nga “barra” e punës së vështirë. Por, përveç miratimit të draftit të ri, “Për trajtimin e veçantë të minatorëve dhe punonjësve të tjerë që kryejnë punë të vështira”, të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, për herë të parë, vendi ynë do të ketë një dokument Strategjik Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, që do të jetë rregullatori kryesor në marrëdhëniet e punës. Dokumenti evidenton sektorët më problematikë, ku shqetësues është numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, ndër të cilët veçohen ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj. Aktualisht, strategjia e punës nuk përfshin sektorin bujqësor, pasi është menduar që pas konsolidimit të këtij procesi në sektorët e tjerë, strategjia të përfshijë edhe punët në bujqësi. Punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin konsiderohen ato që kryhen në ambiente që kapërcejnë kufijtë e lejueshëm të faktorëve të dëmshëm për shëndetin, të cilët përcaktohen në dispozita të veçanta ose në norma të detyrueshme higjieno-sanitare.
Shtesa
Shtesa mbi pagë që do të merret nga punonjësit e punëve të vështira do të mbështetet në rezultatet e studimeve të ambientit, që kryhen nga institucionet e autorizuara për këto lloj studimesh. Në rastet kur punonjësit i takojnë të marrë më shumë se një shtesë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, shtesat do të jepen për çdo rast. Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, punonjësve do t’u jepen shtesa mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, si më poshtë vijon: në shkallën e parë deri në 5 për qind; në shkallën e dytë 10 deri 15 për qind; në shkallën e tretë 15 deri 20 për qind; në shkallën e katërt 20 deri 25 për qind. Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror i Punës ka përcaktuar kufirin e orëve javore të punës që duhet të plotësojë një i punësuar në punët e vështira. Kështu, sipas vendimit të marrë nga Inspektorati, punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, për këto vende pune duhet të parashikojnë që kohëzgjatja javore e punës të mos kalojë 48 orë në javë, përfshirë në këtë kohë edhe oraret suplementare. Specialistët e Inspektoratit të Punës shpjegojnë se më konkretisht kjo do të thotë se në Kodin e Punës parashikohet që koha javore është 40 orë në javë, por për arsye pune, një i punësuar mund të punojë deri në 50 orë në javë. Sipas tyre, në rastet kur një i punësuar do ta kalojë 50 orët e përcaktuara, duhet të marrë leje në Inspektoratin e Punës.

Shtesa mbi pagë për profesionet e vështira

Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, shtesa mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, është si më poshtë vijon:
Në shkallën e parë deri në 5 për qind
Në shkallën e dytë 10 deri 15 për qind
Në shkallën e tretë 15 deri 20 për qind
Në shkallën e katërt 20 deri 25 për qind

Kushtet që duhet të plotësojnë punëdhënësit
Punëdhënësit janë të detyruar të marrin në këto punë punëmarrës që të pajisur me dëshmi profesionale dhe me certifikatën e aftësisë mjekësore
Punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, parashikojnë kushtet e përshtatshme për këto vende pune, përherë në mbrojtje të shëndetit dhe të personalitetit të punëmarrësve
Punëdhënësit janë të detyruar të krijojnë kushte të larta sigurie dhe higjiene në këto vende pune

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›