Pashk Përvathi: Rikthimi, ky është identiteti im i vërtetë
I njohur për tablotë e tij në pikturë, piktori Pashk Përvathi vjen me ekspozitën Rikthimi në GKA. Janë punime të realizuara nga piktori në harkun kohor të tri viteve të fundit 2007-2010, ku temë dominuese është peizazhi lirik (natyra shqiptare). Janë imazhe nga
vendlindja e artistit, nga Lezha, qyteti i Korçës dhe fshatrat e saj (Vithkuq, Drenovë, Boboshticë), nga bjeshkët shqiptare, nga qyteti i Beratit, Shkodra etj. Piktori pohon se në këtë ekspozitë ai ka harmonizuar dy periudha të krijimtarisë së tij artistike, atë në fillimet e tij dhe në 10 vitet e fundit. Sa i takon krijimtarisë së tij, piktori pohon se nuk ka qenë e lehtë që ai të mbërrinte deri këtu, por pasioni dhe talenti e kanë udhëhequr në të gjithë vitet e krijimtarisë së tij. Në vijim të intervistës ai rrëfen dhe pse e ka titulluar Rikthimi ekspozitën. Një grup prej 10 veprash i përkasin gjinisë së portretit, ku artisti ka pikturuar tablonë e bukur me imazhin e At Zef Pllumit. Portrete e tjerë janë kryesisht figura të kompozuara, ku ai ia kushton figurave të ciganëve të qytetit të tij, ndërsa tri tablo i përkasin imazhit femëror me veshje tradicionale shqiptare. Në ekspozitë janë paraqitur edhe 6 natyra të qeta, të cilat evidentojnë mjeshtërinë teknike dhe saktësinë e artistit në materializimin e objekteve të pikturuar. Ekspozita është e treta që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve, në grupin e 30 ekspozitave vetjake që piktori Pashk Përvathi, i cili ka çelur ekspozita brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo do të qëndrojë hapur nga data 9-30 qershor për publikun. Sa i takon krijimtarisë së tij, piktori ka rreth 1000 vepra arti të shpërndara në të gjithë botën, që janë blerë nga personalitete të njohur të politikës, diplomacisë, etj. Pashk Përvathi lindi në fshatin Manati të rrethit Lezhë, më 27 shkurt 1958. Në vitet 1972-'76 kreu shkollën e mesme të kulturës për mësues vizatimi. Ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale në vitet 1986-'90. Nga viti 1990-'92 punoi si përgjegjës i Galerisë së Arteve të Lezhës. Ka kryer detyrën e përgjegjësit të Kulturës së rrethit të Lezhës. Në vazhdim ka punuar në profesion të lirë si piktor.
-Si prezantohet piktori Pashk Përvathi në këtë ekspozitë?
Me këtë ekspozitë unë vij me 60 punime të reja të viteve 2007-2010. Ndryshe nga herët e tjera, ku kam lëvruar vetëm gjininë e peizazhit këtë herë unë vij me një cikël punimesh portrete, që janë 10 dhe po ashtu me një cikël natyrash të qeta që janë 6 cikle. Në tematikën e ekspozitës kryeson vjeshta por ndryshe nga herët e tjera këtu ka 10 punime me borë, që unë nuk e kam lëvruar asnjëherë, sepse në qytetin tim nuk bie borë, por këtu unë vij ndryshe, sepse dukem dhe pak si piktor i trevave të Korçës.
-Pse ky qytet ju është kthyer në frymëzimin tuaj?
Ndodhi rastësisht sepse një koloni i artistëve, që u zhvillua në vitin 2007 nga Bashkia e Korçës, unë u njoha me peizazhin dhe ishte një emocion i veçantë. Unë shkoj që prej tre vitesh në këtë qytet sidomos në Vithkuq, Drenovë, Boboshticë dhe 24 punime të kësaj ekspozite janë nga treva e Korçës. Ky qytet me rrethinat e saj ka natyrën më të bukur shqiptare, sidomos vjeshta është shumë e bukur.
-Pse e keni titulluar Rikthimi?
Titullohet Rikthimi, sepse nuk presupozon thjesht një rikthimin në GKA, por është rikthimi pas një lëvizje në labirintin e të gjithë krijimtarisë sime, duke kërkuar atë të vërtetën e identitetit tim. Pas periudhave të ndryshme, unë besoj se kam harmonizuar periudhën time fillestare me një periudhë kërkimi 10 vjeçare dhe ky është rikthimi në identitetin tim të vërtetë.
-Një emër i njohur në pikturën shqiptare, dhe shumë vlerësime, si ndiheni nga kjo, nga jehona që iu bë emrit tuaj sapo u mor vesh hapja e ekspozitës?
Dita e parë që unë hap këtë ekspozitë, sot, për mua është një ditë dasme. Kur dasmorët dhe njerëzit vijnë në dasmë atëherë je shumë i lumtur, kur ata vijnë në dasmë për të parë nusen kjo tregon që ka njëlloj interesi dhe më vjen shumë mirë. Unë kam konstatuar vitet e fundit që pikturën time artdashësit e duan, sepse udhëtojnë nga Tirana në Lezhë për ta parë dhe për ta blerë dhe interesi i publikut si dhe i medias tregon se jam në rrugën e duhur.
-Në tërë krijimtarinë tuaj, kush ju ka motivuar?
Unë kam tentuar të bëhem piktor. Që në moshë të vogël unë kam qenë i lidhur me pikturën e kisha pasion, që në klasë të parë fillore kur unë i kam pozuar një artisti që kishte ardhur nga Tirana për të bërë portretin tim, që nga ajo kohë mbetën fillesat e para dhe u ngulit kjo lloj dëshire, për tu marrë me këtë lloj arti, saqë studiova më pas në shkollën e mesme, më pas në Akademinë e Arteve. Jam në këtë lloj profesioni dhe shumë tentojnë të bëhen piktorë, por ata nuk janë shumë. Piktura mbetet puna ime, frymëzimi im, mbetet frymëzim qysh fëmijë dhe do të jetë deri në pleqëri.
-Cila ka qenë për ju periudha më e vështirë e karrierës suaj?
Ka qenë kur unë kam mbaruar studimet e shkollës së mesme me rezultate shumë të mira, por nuk shkova në shkollë të lartë, sepse donin të më dërgonin në një shkollë ushtarake. Unë e braktisa këtë shkollë. Mua më dërguan ushtar, bëra ushtrinë, u martova, u bëra me fëmijë dhe mendova se kaq ishte jeta ime dhe nuk mendoja se një ditë unë do të isha në Akademinë e Arteve. Por në këtë vend ka një komunitet shumë të mirë të piktorëve, janë njerëz shumë të mirë dhe njëri prej tyre, në vitin 1986 kur unë isha 27 vjeç erdhi në shtëpinë time dhe tha që ti duhet të vish në Akademinë e Arteve, pasi unë jam pedagog atje dhe dua të të ndihmoj. Më ka ndihmuar shumë profesori im Petro, Kujtim Buza dhe Anastas Kondo, që unë në këtë moshë me dy fëmijë të shkoj në akademi. Pas kësaj filloi dhe pjesa e lumturimit tim dhe në atë rrugë është dhe ekspozita e sotme që është e 30-ta ku prej tyre janë shtatë jashtë vendit. Kam mbi 800 punime të shitura në koleksionistë dhe artdashës, dhe 150 jashtë vendit. Në GKA unë kam tre vepra.
-Ju keni realizuar dhe punime në një kishë në Amerikë, si u mundësua kjo ?
Ka qenë një rastësi, pasi vetë famullitari i Kishës së Detroit, është ndesh me punën time dhe ai më ka propozuar për të shkuar atje. Unë kam punuar të gjitha pikturat e kishës së re, që janë 144 metra katror sipërfaqe pikture dhe mendoj se kjo është një arritje e imja, sepse kur mendoj që 1000 persona luten çdo të diel në kishë dhe shohin pikturat e mija, kjo më bën të ndjehem shumë mirë.
-Sa e vështirë është të jesh sot piktor?
Është e vështirë dhe unë ia kam dalë mbanë kësaj pune, për të jetuar si piktor pasi unë jetoj vetëm me këtë art. Unë bëj një jetë të mirë me këtë lloj arti dhe kam një studio shumë të mirë në Lezhë, kjo më bën të mendoj se dhe me këtë lloj arti mund të jetohet. Nga ana tjetër, megjithëse njerëzit në Shqipëri jetojnë me disa probleme ata janë gati që të kenë dhe një tablo pikture në shtëpitë e tyre.
-Ndërkohë që sot nuk ka një treg pikture të mirëfilltë në Shqipëri?
Nuk është një treg i mirëfilltë pikture, por dhe unë nuk kam tentuar që të bashkëpunoj me galeritë, pasi në Shqipëri nuk ka galeri që të bëjnë këtë funksion për veprën e artit, por unë punoj piktura në studion time dhe nuk rri me mendimin se do të shes diçka sot apo nesër, por unë besoj që një ditë dikush do shfaqet në studion time. Nga kjo më pas unë siguroj të ardhurat për të jetuar.
-Cilat janë problemet që hasin sot piktorët?
Në Shqipëri ka artistë shumë të zotë, që do të kishin shumë mundësi edhe nëse do të kishin qenë të lirë të lëviznin dhe të kishin pasur mundësi komunikimi dhe lidhjeje dhe me tregun jashtë, nga kjo ata do të kishin shkëlqyer. Pra potencialet vendit tonë nuk i mungojnë.
-Çfarë keni tentuar të sillni me krijimtarinë tuaj tek publiku?
Kam tentuar të sjell vepra arti të arrira.
-Në këtë ekspozitë mes të tjerave është dhe një tablo me At Zef Pëllumin?
Miqësia me At Zef Pëllumin ndodhi në vitet e fundit