Pashkët, Tadiç pritet të shkojë në Kosovë
Autoritetet ndërkombëtare në Prishtinë bëjnë të ditur se të shtunën mbërrin në Kosovë presidenti i Serbisë, Boris Tadic, për të festuar Pashkët Ortodokse me priftërinjtë e Manastirit të Deçanit. Sipas mediave kosovare njoftohet se UNMIK-u, Presidenca dhe Qeveria e kanë dhënë miratimin e tyre për viziten e Tadicit, edhe pse ai nuk ka kerkuar fare leje. Vizitën e Tadicit në Kosovë e ka koordinuar zyra e OKB-së në Beograd. Është thënë se vizita e tij u lejua me kusht që ai të mos bëjë fushatë zgjedhore. Sipas Presidentit te Kosovës Fatmir Sejdiu, vizita e paralajmëruar e presidentit serb Boris Tadic në disa mjedise serbe në Kosovë ka karakter "privat". Në manifestimin Pen-Europa në Kosovë, Sejdiu tha se çdo hyrje-dalje në Kosovë është në kompetencë të UNMIK-ut, por shtoi se për Prishtinën është e papranueshme "çdo ardhje e njerëzve, të cilët kanë për qëllim propagandën politike". "Njerëzve mund t'u lejohet t'i vizitojnë bashkëkombësit e tyre, por për ne janë të papranueshme vizitat që kanë për qëllim fushatën parazgjedhore, krijimin e situatave konfliktuale dhe nxitjen e urrejtjes", tha Sejdiu.