Sarkozy: Kam bërë edhe gabime në qeverisje
Presidenti francez, Nicolas Sarkozy e ka pranuar se ndoshta mund të ketë bërë gabime gjatë dymbëdhjetë muajve të parë në pushtet. Ai tha se ndoshta ai duhet t'ia kishte shpjeguar sa duhet publikut politikat e tij. "Padyshim që ne nuk shpjeguam sa duhet. Padyshim, unë vetë bëra disa gabime," Sarkozy e bëri këtë deklaratë në një intervistë të rëndësishme televizive. Ai shpreson se intervista që zgjati dhjetë minuta, do ta ndihmojë që të rifitojë popullaritetin në mesin e francezëve. Ai ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Arsye për këtë janë publiciteti rreth jetës së tij private dhe pasojat e kufizuara të reformave të tij në ekonominë franceze që po kalon vështirësi. Por në intervistën që u transmetua drejtpërsëdrejti në dy kanalet kryesore televizive të vendit, Sarkozy shprehu vendosmëri për t'i vazhduar reformat e premtuara. Ai shtoi se edhe pse duhet ta kishte parasysh opinionin e publikut, paralelisht me këtë, ai ishte zgjedhur që të bënte ndyrshime. "Bota është në lëvizje, dhe Franca, për 25 a 30 vjet, për arsye të ndryshme...nuk është zhvilluar me të njëjtat ritme me të," tha presidenti francez dhe shtoi: "Unë u zgjodha që t'i rikthej vlerën punës, t’u jap bashkatdhetarëve tanë, sidomos më të ekspozuarve, ndjesinë se janë të mbrojtur dhe të rikthejë krenarinë e të qënit francez. Për ta bërë këtë, ka vetëm një strategji të mundshme: Të bëjmë ndryshimet që nuk i bëmë atëherë kur i bënë të tjerët. "