Siria, një reaktor bërthamor në fshehtësi
Shtëpia e Bardhë thotë se Siria ishte duke ndërtuar fshehtazi një reaktor bërthamor me ndihmën e Koresë së Veriut, të pajisur për të prodhuar plutonium. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë dhe fotografi të zbulimit të publikuara si rrallë herë më parë, pasuan një seancë informimi për anëtarët e Kongresit rreth veprimtarisë së ndaluar bërthamore të Sirisë, siç e përshkruan atë Shtëpia e Bardhë. Duke e cilësuar këtë si një çështje tepër shqetësuese ndërkombëtare, Shtëpia e Bardhë tha se Koreja e Veriut e ka ndihmuar Sirinë të projektojë dhe ndërtojë reaktorin, që ajo thotë se ndoshta u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga një sulm ajror izraelit shtatorin e kaluar. Ne deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se Shtetet e Bashkuara po i japin informacionin e zbulimit Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe po i bëjnë thirrje qeverisë së Sirisë të “tregohet e sinqertë me botën” lidhur me aktivitetin e saj të ndaluar bërthamor. Gjatë gjithë ditës dje, anëtarë të Kongresit amerikan u informuar nga Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit, Majkëll Hajden dhe zyrtarë të tjerë për të dhënat e zbulimit rreth lidhjeve të dyshimta mes Sirisë dhe Koresë së Veriut. Këto seanca dhe deklarata e Shtëpisë së Bardhë vinë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në negociatat gjashtë palëshe me Korenë e Veriut, synojnë ta bindin Penianin të përmbushë angazhimin e vet për deklarimin e plotë të gjithë aktivitetit të tij bërthamor, duke përfshirë edhe përhapjen e armëve. Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Xha'afari, hodhi dje poshtë kategorikisht çdo lloj bashkëpunimi mes vendit të tij dhe Koresë së Veriut. Dje pasdite, Shtëpia e Bardhë hodhi një hap të pazakontë duke publikuar pamje të marra nga sateliti dhe me kamera, imazhe të asaj që Shtetet e Bashkuara thonë se janë të objektit që u godit nga sulmi ajror izraelit. Imazhet tregojnë një ndërtesë pothuajse të ndërtuar në gusht të vitit 2007, që analistët e zbulimit dhe ekspertë të tjerë e përshkruajnë si një godinë të ngjashme me raktorin e plutoniumit në Jongbjon të Koresë së Veriut, që kjo e fundit ra dakord ta mbyllë në kuadrin e kapërcimit të ngecjes lidhur me programin e saj bërthamor. Deklarata e djeshme e Shtëpisë së Bardhë e cilëson bashkëpunimin e Koresë së Veriut me Sirinë si një manifestim të rrezikshëm të programit të armëve bërthamore të Penianit dhe të aktiviteteve të përhapjes së armëve, dhe shton më tej se ndërtimi i reaktorit sirian ishte një “ndërmarrje e rrezikshme dhe me potencial destabilizues për rajonin dhe gjithë botën”.