Pashkët, bota e krishterë kremton ringjalljen e Krishtit

Festa e Pashkëve, politika shqiptare përcjell urimin e besimit dhe të paqes
Besimtarët e krishterë në mbarë botën, kremtuan mbrëmë në mesnatë festën e Pashkëve, simbolin e ringjalljes së Krishtit, pas kryqëzimit të tij. Ceremonitë e kësaj dite të rëndësishme që kulmon një seri ritesh dhe ceremonish fetare që nga Kreshma, e më pas e Premtja e Zezë dhe Dita e Ringjalljes. Besimtarët ortodoksë shqiptarë kanë ndjekur në mesnatë meshat e shenjta të mbajtura nga klerikët. Në Tiranë në katedralen ortodokse është zhvilluar mesha e shenjtë. Gjithashtu edhe në katedralen e Shën Palit në Tiranë besimtarët katolikë kanë ndjekur meshën e shenjtë. Ceremoni festive janë mbajtur edhe në të gjitha qytetet e tjera të vendit, si dhe në zonat e banuara nga shqiptarët e krishterë në Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni. Sipas kalendarit fetar, Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit. Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.
Benedikti i XVI uron Pashkët në 65 gjuhë të ndryshme të botës Papa Benedikti i XVI, përpara gati 100 mijë personave të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit Papa Benedikt u drejtoi besimtarëve urimin e tij të Pashkëve, “Urbi et Orbi” për qytetin dhe botën. “Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë për shpëtimin e ungjillit për të dalë nga kriza e thellë që e ka përfshirë e që si e tillë kërkon ndryshime rrënjësorë duke filluar nga ndërgjegja. Sot nuk lipsen rregullime sipërfaqësore, por një bashkëbisedim shpirtëror dhe moral”, tha ndër të tjera në mesazhin e tij Papa Benedikt. Ashtu si për çdo vit mesazhin tradicional Papa e lexoi në 65 gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë edhe shqipen. “Për shumë vjet Pashkët”, ishte mesazhi i Atit të Shenjtë në shqip. Përpara Meshës së Pashkëve, kreu i kolegjit të kardinalëve Anxhelo Sodano, përveç urimeve i përcolli Atit të Shenjtë edhe mbështetje të plotë në emër të të gjithë kishës. Për protokollin e ceremonisë kjo ishte diçka e re, pasi kurrë më parë Mesha e Pashkëve nuk është paraprirë nga një mesazh urimi për Papën. “Kardinalët janë me ju, peshkopët në të gjithë botën janë me ju. Ati i Shenjtë, njerëzit e Zotit janë me ju dhe nuk do të ndikohen nga thashethemet e momentit, nga gjykime që godasin ndonjëherë komunitetin e besimtarëve”, tha gjatë fjalës së tij kardinali Anxhelo Sodano.
Festa e Pashkëve, politika shqiptare përcjell urimin e besimit dhe të paqes/Krerët e qeverisë, të shtetit dhe përfaqësues të politikës kanë vizituar sot Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kanë përcjellë prej andej, urimin për të gjithë besimtarët e krishterë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi uruan besimtarët katolikë dhe orthodoksë, për ditën e shënuar të ringjalljes së Krishtit. Kryetarja e Kuvendit, e cilësoi ditën e Pashkëve si ditë e forcës dhe fuqisë. Pas vizitës në kishën Ortodokse në Tiranë, Topalli tha se, “Pashka është dita e forcës dhe e fuqisë që ka vet dita e ringjalljes, dhe nëse ringjallja ka ndodhur në 2000 vjet me Krishtin unë mendoj se me popullin shqiptar dita e ringjalljes janë këto që ditë që ne po jetojmë sot”. “Sot është dita në të cilin duhet të mendosh për dialog në Parlament, për bashkëpunimin, për pajtimin, për kapërcimin e situatave artificiale dhe për të menduar për atë që më e rëndësishme për vendin, dhe jo për atë që është axhendë personale”, u shpreh në urimin e saj, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli. Pashkët i ka uruar edhe kreu i shtetit, Bamir Topi. Topi përcolli në ditën festive, mesazhin e ringjalljes së besimit, jetës dhe dialogut të gjërë. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka vizituar në fillim Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë. Presidenti Topi i ka shprehur Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe mbarë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve ortodokse.
...