E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Nata e Shenjtë e Pashkëve

Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit të Ngjallur, juve dëgjues të nderuar kudo që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.
Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera. Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur.
Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.
Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve “kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të ringjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria”.
Prezenca në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetsemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, të Birin e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjes së vet, kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit: në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.Krishti u Ngjall. Më të vërtetë u Ngjall, Aleluja!
Ritet e simbolet e Natës së Shenjtë të Pashkëve/Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes. është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit. Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.
Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën.
Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arsyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin.
E tani të përshkruajmë e të përshkojmë së bashku ritet e simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve
Liturgjia e dritës
çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë.
Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është jeta e tij.
Ja me fjalë të tjera Shërbesa e Dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës. Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet të veçohen momentet si bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit vijues, pastaj mundë të vihen pesë kokrrat e kemit po kështu në formë kryqi.
Prej zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur. Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni, ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te elteri: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin. Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmban pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet; d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika e bletëve.
Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon shërbesa e fjalës.
Liturgjia e Fjalës/Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.
Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet. Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit. Deri tek Ungjilli, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Fjalës së Zotit: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet. Për shërbesën e fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mundë të reduktohen në më së paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë). Pas leximit të fundit të BV dhe lutjes meshtari këndon Lavdi… Vijon lutja dhe leximi i letrës nga BR. Kur ky përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe Homelia.
Liturgjia e Pagëzimit/është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori. Ja me fjalë tjera Shërbesa e Pagëzimit:: Sakrament ky përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe nëse ka katekumen (kandidat të rritur për pagëzim apo fëmijë) bëhet paraqitja dhe e nunave, e pastaj kremtohet pagëzimi i tyre. Nëse nuk ka asnjë kandidat për pagëzim, bashkësia e besimtarëve ftohet në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. E pastaj bëhet përtëritja e premtimeve të pagëzimit, e më këtë rast nuk thuhet Besojma.
Liturgjia Eukaristike/“Krishti u ngjall!” Brohoritja që jehon në terrin e natës së Pashkëve, arrin kulmin në kremtimin eukaristik. Sigurisht është Eukaristia e çdo të diele, e çdo dite, por këtë natë, kur kemi rijetuar historinë e shëlbimit, e ndjejmë më fort se kurrë se ajo është kënga e gjithësisë, lavdërimi pa fund i qiellit e i tokës. Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falënderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqendrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por së bashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajëve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon Atin së bashku me Birin”.
Ja me fjalë tjera Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e gjakun e Krishtit të Gjallë. Shërbesa Eukaristike është kulmi i këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: me praninë e Krishtin të Gjallë kalojmë nga vdekja në jetë të vërtetë.
Kremtimi i Meshës vazhdon si rëndomtë me lutjet përkatëse e të përshtatshme të kësaj të Kremte, sipas Mesharit Romak.


Shqiptarët e të gjitha trojeve kremtojnë Pashkët e Ringjalljes

Jo vetëm besimtarët katolikë e ortodoksë, por të gjithë shqiptarët kremtojnë sot Pashkët e Ringjalljes së Krishtit, festës më të madhe të kalendarit të krishterë. Atmosfera festive bashkohet me optimizmin që sjell 2010-a për aspiratat e të gjithë shqiptarëve për integrim në BE

Berisha: Shqiptarët i kremtojnë pashkët e sivjetme, më të lirë se kurrë më parë

Kryeministri Berisha i uroi dje ditën e bekuar të Pashkëve të gjithë besimtarëve të krishterë, të gjithë shqiptarëve, të gjithë besimtarëve të Zotit, si ditën e rilindjes së Krishtit, si një ditë e rilindjes së besimit, të shpresës tek Zoti, tek vetja dhe tek e ardhmja. Dita e Pashkëve, është dita e shpërblimit të sakrificës, në emër të një interesi dhe ideali më të lartë, është dita e shpresës së pashuar të njerëzimit, për një të ardhme më të ndritur. Besimtarët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo janë, kremtojnë sot Pashkët më të lirë, më të begatë, më të denjë se kurrë më parë. Shqipëria kremton këto pashkë si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që ecën i sigurt drejt shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane së kombit shqiptar. Edhe një herë Gëzuar Pashkët dhe le të urojmë shpresë dhe besim të madh tek e ardhmja që meritojmë, të urojmë që vitin e ardhshëm këto Pashkë të festohen edhe më mirë!

Edhe Presidenti Topi u uron gjithë besimtarëve të krishterë Festën e Pashkëve

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u uron gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë, Festën e Pashkëve nëpërmjet një mesazhi të dërguar Imzot Rrok Mirditës dhe Kryepeshkopit Anastas në të cilin ndër të tjera thuhet: “Dita e Pashkëve me jep kënaqësinë e veçantë që t’ju shpreh ju dhe përmes jush të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë kudo ndodhen, urimet me të përzemërta për mbarësi, mirëqenie, gëzim e harmoni! Kjo ditë e shenjtë në kalendarin e krishterë sjell për besimtarët katolikë e ortodoksë harenë dhe solemnitetin e një kremtimi madhështor ku vlerat njerëzore dhe hyjnore plotësojnë shpirtin, ku nderimi dhe përulësia ndaj të Plotfuqishmit rigjallërohet dhe kur besimi tek triumfi i mirësisë ringjallet dhe rimishërohet në veprat e në sjelljen e gjithësecilit prej nesh...”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›