E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët festë e faljes dhe e mirësisë

Papa Benedicti XVI theksoi dje se Pashkët bartin porosinë e faljes, mirësisë dhe të vërtetës për botën që po vuan, por ai me këtë rast nuk përmendi skandalet e abuzimeve nga ana e priftërinjve, të cilat e kanë tronditur atë dhe kishën e tij.

Papa kërkoi nga besimtarët që të hyjnë në një bisedë morale dhe shpirtërore, gjatë porosisë së tij tradicionale për festën e Pashkëve, në momentin kur skandalet me priftërinjtë pedofilë kanë dërrmuar kishën.

“Njerëzimit i nevojitet një dialog shpirtëror dhe moral”, deklaroi Papa 82 vjet, gjatë porosisë së tij tradicionale, “Urbi et Orbi”.

“Ky dialog duhet të dal në sipërfaqe nga kriza e thellë, e cila kërkon ndryshime të thella”, shtoi ai.

Ky apel u bë në momentin kur skandali me priftërinjtë pedofilë kanë vendosur nën hije festën e Pashkëve, një prej ditëve më të lumtura në kalendarin e krishterë, gjatë së cilës përkujtohet ringjallja e Krishtit.

Papa foli edhe për një prej konflikteve më të gjata në botë, atë në Lindjen e Mesme. Ai me këtë rast bëri ftesë për një “eksodus” të vërtetë nga lufta dhe dhuna drejtë paqes në rajon.

Duke dënuar përndjekjen dhe vuajtjet e pakicës të krishtere në rajon, Papa tha:”Lutem që Zoti të mbrojë të krishterët, të cilat përndiqen, e madje edhe vriten për shkak të besimit të tyre, siç ndodhë për shembull në Pakistan. Komunitetet e krishtere, të cilat po përjetojnë vuajtje, në veçanti në Irak. Paqja qoftë me ju”.

Në ndërkohë, zyrtarët kryesor të kishës vazhduan të rreshtohen prapa Papës, duke e mbrojtur atë nga kriza me priftërinjtë pedofilë.

Mesha për Pashkët filloi me një përshëndetje të pazakonshme nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, i cili i tha Papës:”Njerëzit e Zotit janë me ju”.

Në ndërkohë, në Paris, kryesuesi i kishës katolike të Francës, Kardinali Andre Vingt Trois, theksoi se ka filluar një fushatë, e cila ka për qëllim njollosjen e Papës.

“Ishte Kardinali Ratzinger ai, i cili si kryesues i Kongregacionit për Doktrinë të Besimit ka trimëruar peshkopët që të ndërmarrin aksion kundër pedofilisë, duke e njoftuar në mënyrë sistematike Vatikanin për raste të këtilla”, i tha Vingt Trois gazetës franceze “Le Figaro”.

Sidoqoftë, peshkopët e Belgjikës dhe të Gjermanisë dënuan rolin e kishës, në mbulimin e priftërinjve abuzues, gjatë porosive të tyre me rastin e Pashkëve.

Peshkopi i Mechelenit-Brukselit, Andre Joseph Leonard, theksoi se kisha e ka keq-menaxhuar krizën me një “heshtje të fajësisë”.

Ndërsa në anën tjetër, peshkopi i Gjermanisë, Robert Zollitsch, tha:”Sot, ne duhet të ulemi së bashku dhe të hetojmë krimet e tmerrshme, aspektet e errëta të kishës, si dhe anën tonë të errët”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›