E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulme të reja vetëvrasëse në Bagdad

Policia irakiane ka njoftuar se numri i të vdekurve, si pasojë e tri sulmeve me autobomba në Bagdad, është ngritur në 31.

Sulmuesit vetëvrasës gjatë ditës së sotme aktivizuan bombat brenda disa minutave.

Një bombë shpërtheu në afërsi të ambasadës së Iranit, ndërsa dy bombat tjera shpërthyen në një lagje, në të cilën gjenden disa ambasada të huaja, përfshirë këtu edhe ambasadat e Egjiptit dhe të Gjermanisë.

Zyrtarët e policisë njoftuan se si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë 31 persona dhe janë lënduar 185 të tjerë.

Këto sulme kanë shtuar frikën se militantët do të shfrytëzojnë rrëmujën politike, në të cilën është zhytur Iraku, pas zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat u zhvilluan javën e kaluar.

Mbeti e paqartë se a kishte në mesin e të vdekurve dhe të lënduarve punëtorë të ambasadave, në afërsi të te cilave ndodhën shpërthimet.

“Në shënjestër të këtyre sulmeve ishin vënë misionet diplomatike. Bëhet fjalë për akte terroriste. Presim që numri i të vdekurve të shtohet edhe më tutje. Që të tri sulmet ishin sulme vetëvrasëse me autobomba”, deklaroi një zyrtar i policisë.

Sulmet e këtilla në kryeqytetin e Irakut zakonisht janë vepër e degës së Al Qaidës në Irak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›