E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringjallja e Krishtit, festime, kudo ne Shqiperi

TIRANE- Besimtaret e krishtere ne mbare Shqiperine kane festuar mesnaten e mbremshme ringjalljen e Krishtit apo sic njihet ndryshe festen e Pashkes.Kembanat, urimet dhe shkembimi i vezeve kane kthyer naten e se shtunes duke u gdhire e diela ne nje dite feste dhe hareje.

Tirana feston ringjalljen e Jezu Krishtit
Besimtaret e krishtere festuar mesnaten e mbremshme ringjalljen e Krishtit apo sic njihet ndryshe festen e Pashkes. Në Tirane besimtaret katolike jane mbledhur ne katedralen e “Shen Palit" rreth ores 23 00 per te ndjekur meshen e drejtuar nga imzot Rrok Mirdita. Ai ka bere thirrje per me shume paqe dhe miresi mes njerezve dhe ka ftuar besimtaret te ecin nen shembullin e Jezu Krishtit. Sipas besimit te krishtere Jezusi erdhi ne toke per te dhene modelin e tij per njerezimin dhe per te deshmuar se pas vdekjes se trupit, shpirti jeton ne ate qe njihet si jeta e pretejme, por per ta fituar ate duhet qe cdokush te udhehiqet ne jete nga disa parime biblike dhe virtyte.

Ndërsa Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, duke uruar mijëra besimtarë që ishin mbledhur në mjediset e jashtme të kishës u shpreh: "Festojmë triumfin e pushtetit të Perëndisë së dashurisë. Krishti u ngjall së vdekurish me vdekje vdekjen shkeli". Mijëra besimtarët qëndronin me qirinj në dorë duke kënduar, "ngjalljen tënde o Krisht shpëtimtar engjëjt në qiell e hymnojnë, vlerësona edhe ne përmbi dhenë me zemër të pastër ty të lavdërojmë".
Më parë Kryepeshkopi Janullatos kishte mbajtur Shërbesën e Mesnatës, që quhet ndryshe Vigjilja e Pashkës. Ai ndezi qiriun e Pashkës nga "kandili i pashuar", duke uruar besimtarët që "Siguria e Atij, Zotit të dashurisë, që i është dhënë çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe, le të na ngrejë optimizmin e lënduar për të ardhmen e botës".

Pashket ne Shkoder,pagezohen 4 te rinj
Besimtarët katolikë në Shkodër kanë ndjekur mesnatën duke u gdhirë dita e sotme meshën e shenjtë kushtuar Ringjalljes së Jezu Krishtit, mbajtur në katedralen kryesore të qytetit “Shën Shtjefni”, e njohur ndryshe si Kisha e Madhe.

E drejtuar nga Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra, mesha e shenjtë ka filluar në mjediset e katedrales me zjarrin e ndezur, simbol i ditës së Ringjalljes së Krishtit. Ajo vijoi përmbi një orë dhe gjatë gjithë kohës u shoqërua nga kori i katedrales.

Një moment i veçantë gjatë meshës së shenjtë ishte pagëzimi i katër të rinjve, një djali dhe tre vajzave. Ceremonia në fjalë, me të gjithë elementët kishtarë, si bekimin e dhënë nga Arqipeshkvi, vendosjen e shenjës së kryqit në ballin e katër të rinjve dhe larjen e kokës së tyre me ujë të bekuar, u zhvillua në prani të nunave të tyre. Këto të fundit, në bazë të rregullit kishtar, duke u betuar përpara altarit, morrën përsipër përkujdesjen e personave të pagëzuar, gjatë të gjithë jetës së tyre, në të mirë dhe në të keqe.

Në pjesën e fundit të meshës së shenjtë u shënua momenti i kungimit të besimtarëve, të cilët duke marrë osten, korbin e Krishtit, ata morrën dhe bekimin për një shpirt të pastër në jetën e tyre të përditshme.

Korcë, flaka e shenjtë mbërrin nga Jeruzalemi
Në Korcë besimtarët kanë pritur mbrëmë Ringjalljen e Krishtit të mbledhur para Katedrales në sheshin kryesor të Korçës dhe në kishën e Shëdellisë. Sipas traditës, duke mbajtur në duar qirinj, shporta dhe objekte të ndryshme të prodhuara prej dylli dhe parafine, posacerisht për këtë, festë besimtarët e krishterë priten daljen e Imzot Johanit, mitropolit i Korçës. Ai doli përpara besimtarëve me qiririn e madh me flakën e shenjtë që simbolizon ringjalljen e Krishtit.
Flaka e shenjtë, për herë të parë këtë vit në Korçë mbërriti nga Jeruzalemi, marre prej vendit në kishën e shenjtë ku u varros Krishti. Me të u ndezën mbrëmjen e djeshme mijëra qirinj nga besimtarët korçarë dhe të ardhurit me rastin e festës së Pashkës.
Pas ceremonisë se Ringjalljes së Krishtit dhe urimeve për Pashkë të mbara, të gëzuara dhe plot shëndet e paqje, besimtarët u drejtuan drejt shtëpive dhe lokaleve të shumtë të qytetit, ku festuan nën ritmin e gëzuar të këngëve korçare dhe valleve popullore.

Elbasan,festa në kishën “Shën Maria”
Pas orës 23.00 besimtarë të shumtë, kanë mbushur plot kishën “Shën Maria” në lagjen Kala, për të marrë pjesë në meshën e drejtuar nga famulltari i kishës At Nikolla Marku. Mesazhe për më shumë paqe, shpresë dhe dashuri vëllazërore janë përcjellë nga At Nikolla si dhe besimtarët katolikë të cilët një zëri janë lutur duke thënë fjalët “mirësia, dashuria dhe toleranca duhet të mbizotërojë në tokë”.
Atmosferë ka pasur gjatë orëve të vona të natës edhe në kisha të tjera të qytetit të Elbasanit. Në kishën “Shën Piu i X”, “Shën Thanasi” kisha e Shelcanit, disa qindra besimtarë kanë marrë pjesë në meshë si dhe kanë ndezur qiriun e Pashkëve në këtë natë të shenjtë të ringjalljes së Krishtit.

Gjirokastër, Këmbanat shënojnë ringjalljen e Krishtit
Në Gjirokastër Ringjallja e Jezu Krishtit është kremtuar në kishën e Kryeëngjëjve në lagjen “Varrosh”. Dhjetra besimtarë janë mbledhur aty, ndërsa këmbana ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.
Mesha e organizuar nga At Theodhori në ambientet e jashtme të kishës së Kryeëngjëjve, u ndoq nga besimtarët e shumtë, të cilët nxitonin të ndeznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Durrës, mesha në kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit
Mesnatën e kaluar këmbanat në katedralen ortodokse të Shën Pavlit dhe Shën Astit, si dhe në kishën katolike të Shën Luçisë kanë ftuar mijra besimtarë që kanë kremtuar si çdo vit përvjetorin e ringjalljes së Krishtit.
Hëna e plotë e natës së kaluar dhe atmosfera e festës i ka mbajtur në rrugë durrsakët dhe vizitorët e ardhur nga qytete të tjera, të cilët më pas u janë bashkuar besimtarëve. Në qytetin antik besimi i krishterë lidhet me emrin e Shën Astit, njërit ndër ipeshkëve të parë të Durrësit të Ilirisë, i cili sipas gojëdhënave e dokumenteve fetare në vitin 1910 vjet më parë u martirizua dhe “derdhi” gjakun për Krishtin.
Në katedralen e ndërtuar në vitin 2003 me emrin e tij, që ka zënë vendin e kishës së Shën Gjergjit mbi kodrën e Durrësit besimtarët mbushën sheshin para kishës dhe pasi “morrën” dritën e qirinjve dëgjuan me solemnitet meshën e celebruar nga At Petro Thanasi. Prifti ortodoks 20 vjet më parë riktheu zërin e Perëndisë “të humbur” në vitet e gjata të diktaturës së pafe. Të rinjtë dhe të rejat mbushën mbrëmjen e kaluar sheshet përballë katedraleve në pritje të Ringjalljes së Krishtit dhe të ringjalljes së shpresës për një të ardhme më të mirë.

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit, ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.
Festa vazhdon edhe ditën e sotme deri në mesditë ku sipas traditës, besimtarët kryejnë vizita për të uruar njëri- tjetrin si dhe për të këmbyer vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë.

Këtë vit Pashkët përkojnë në të njëjtën ditë si për besimtarët katolikë ashtu edhe për ata ortodoksë. Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht përkojnë në periudhën 22 mars- 25 prill.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›