E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët shtojnë fluksin e emigrantëve

DEVOLL - Shtimi i numrit të emigrantëve që futen në pikën doganore të Kapshticës detyron palën greke të shtojë sportelet e kontrollit.

Kështu nga dy sportele që punonin gjatë javës, dje në mëngjes u bënë tre të tillë, për të shmangur krijim e radhëve të emigrantëve, të cilët kthehen për festimin e Pashkëve në Shqipëri. Komandanti i pikës së kalimit kufitar, Qamil Shkaba, ka deklaruar se, ka një dyndje më të madhe të emigrantëve në Kapshticë. Gjatë 12 orëve të natës, duke u gdhirë dita e djeshme, nga kjo pikë kanë hyrë në territorin shqiptar të paktën 2000 persona. Hapja e tre sporteleve në territorin grek dhe të pesë sporteleve në atë shqiptar mundësoi, që gjithë të ardhurit të mos vonoheshin gjatë kryerjes së procedurave. Duke iu referuar regjistrimit të personave që hyjnë në tokën tonë mësohet se, nga kjo pikë kufitare gjatë javës së fundit kanë ardhur mbi 10 mijë persona. Fluksi më i madh i tyre ishte dje në mëngjes. Sipas burimeve të Policisë Kufitare, gjatë dy ditëve të fundit të javës dyndjet e emigrantëve do të jenë në rritje. Sot fillon java e Pashkës ndaj pritet që fluksi i mbërritjes së emigrantëve të vijë duke u rritur. Në këtë javë pritet të shënohet edhe piku i lëvizjeve në këtë pikë të kalimit të kufirit. Sipas Shkabës po mbahen të hapura pesë sportele dhe në rast se do të ketë fluks edhe më të madh do të shtohen edhe dy të tjera për të mundësuar kalimin dhe kryerjen pa vonesa të procedurave të regjistrimit dhe kontrollit në kufi. Nga ana e palës greke, siç konfirmohet zyrtarisht është punuar me vetëm dy apo tre sportele, por këto kanë qenë të mjaftueshme, pasi lëvizjet nuk kanë krijuar radhë. Deri tani emigrantët nuk janë paraqitur në të njëjtën kohë në kufi dhe fakti se, nuk ka pasur dyndje të menjëhershme dhe ardhje masive ka mundësuar përballimin e situatës aktuale. Dje, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 15:00 në këtë pikë doganore kishin hyrë mbi 1800 vetë.                     j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›