E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashko Gjeçi, ose përjetësia e Mjeshtrit

Fatin e përjetësisë, me të cilën Zoti sfidoi egon për jetë të njerëzve, çfarë ëndërrojmë si trashëgimi të mbretërisë hyjnore - në kulm të këtij dimri, tani mund ta kuptojmë në dritë të së vërtetës, jo më si realitet biblik, por njerëzor, kur po përcjellim për në banesë të fundit Mjeshtrin Pashko Gjeçi.
Përkthyesi i “Komedisë hyjnore” që kaloi rrathët e Dantes për ta ngritur qytetërimin tonë, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, me një testament dëshmie të gjallë nga duhet shkuar për tek drita, e vërteta dhe jeta, kush është njeriu dhe mësuesi, mjeshtri dhe dija. Nga një shkrimtar i qe bërë pyetja; “Po sikur të ringjallej Dantja, mjeshtër?”. Buzëqeshja e Pashko Gjeçit i kishte fshirë sakaq çdo mund të rëndë, e kishte hapur atë njeri grusht për t’i dhënë fund habisë tonë, për një dimensionin e një mjeshtri se: “ndoshta, ndoshta do të bisedonim për ato gjëra të cilat unë nuk mundja t’i bëja dot më mirë”.
Dashuria e këtij Mjeshtri ishte ndërgjegje, me të njëjtën providencë siç iu dha shqiptarëve të vegjël, të parritur drejt zgjatimit të jetës, që etjen e kishin aventura fëmijësh në përkthimin e “Odisesë” së Homerit. Kush jemi ne?! Në këtë përpjekje ky grusht njeriu në memorie nxënësish, miqsh, shkrimtarësh, kolegësh nxiti vetëdijësimin mes nesh dhe të tjerëve, aty ku i ndahet hendeku njeriut, midis jetës dhe vdekjes, midis harresës dhe përjetësisë. Dikur Gjergj Fishta tha për mjeshtrin: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull!”, kujtojmë se bëhej fjalë për botimin e shkrimit kritik të Pashko Gjeçit, “At Gjergj Fishta, poet satirik”.
Ne quhemi gjuhë dhe sfida e saj i takon plejadës së mjeshtrit, e bashkë me to ky përkthyes i dha shqipes autoritetin e njohjes, çfarë e kemi të trashëguar sot si lëndë pasurore, e papërsëritshme duke i rezistuar për pesëdhjetë vjet “pushtimit” më të egër të shqipes, ajo e standardit të shpallur nga diktatura. Prandaj ka “pushuar” prej ’85-ës e deri në 2005 përkthyesi, kur pas gati 40 vjetësh ribotohet “Komedia hyjnore” dhe “Fausti”. Mbas ’90-ës, ashtu siç janë prekur të gjithë që e njohën, ku mjeshtri jetonte në një shtëpi bodrum diku tek Shallvaret, Pashko Gjeçi nuk arrinte dot të punonte më. E kishte mbyllur ciklin e punës së tij, por në të kundërt bota jonë akademike, intelektuale dhe ajo politike e “konservonte” memorien për të në heshtje.
Për rastësi, a për ironi, botuesi Mehmet Gëzhilli tregon se janë gati për botim dora e fundit nga krijimtaria e Gjeçit, qoftë në përkthim, ashtu dhe në poezi dhe shkrime kritike. Dorëshkrimi i fundit që ka lënë Mjeshtri është “Andromaka” e Rasinit, që do të shohë botimin brenda këtyre gjashtë muajve, një vepër antike e përkthyer qysh në vitet ’70, por nuk ka parë asnjëherë dritën e botimit. Pas “Komedisë hyjnore”, Gëzhilli tregon se kjo vepër e Rasinit ishte më e dashura për përkthyesin, duke qenë se lidhej edhe me Ilirinë. Paralel me Gjeçin “Andromaka” pothuaj në një kohë në shqipe e sjell edhe përkthyesi Prokop Gjergo, ky i ndarë nga jeta dhjetë vite më parë. Të dy këta mjeshtra qëndronin përballë njëri–tjetrin me dinjitet. Po brenda këtij viti ishte parashikuar dhe do të botohet, libri me tre pjesë e Gjeçit ku pjesa e parë përfshin poezi dhe shkrime kritike, e dyta përkthime nga autorë botërorë dhe pjesa e tretë do të lidhet me gjithë këtë ngjarje që po ndodh, kush ka shkruar dhe çfarë do të thuhet pas vdekjes për Mjeshtrin. Ku në këtë çfarë do të tërheqë vëmendjen është portreti unikal që përkthyesi Shpëtim Çuçka i ka bërë Pashko Gjeçit si mësues, dishepull, dijetar, njeri dhe mjeshtri i shqipes. Gëzhilli e ka të drejtë entuziazmin prej botuesi, kur kujtojmë se është i vetmi që mori nismën për të ribotuar e botuar bibliotekën e Gjeçit, të gjitha të lidhura me të drejta autori qysh në gjallje të përkthyesit.
Pashko Gjeçi lindi në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Që në moshë të re, aty rreth vitit 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në shkollë nisë të mësojë mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku gjithnjë do të kujtojë më pas me nostalgji leksionet e prof. Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte atij në kohën e diktaturës jo pak, por 5 vjet heqje lirie. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor Shkencash në letërsi. Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Në lirim e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi shumë gjatë për përkthimin e “Komedisë hyjnore” të Dante Aligerit. Menjëherë pas botimit të “Komedisë hyjnore” nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore “Odisenë” e Homerit.
Por përkthimi i Dantes do të përbënte një ngjarje jo vetëm për letërsinë, por edhe për kulturën tonë kombëtare. Dhe për këtë kontribut të jashtëzakonshëm gjithë shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe kultura në veçanti i është mirënjohës profesor Pashko Gjeçi.
Emri i Pashko Gjeçit i ka tejkaluar tanimë përmasat kombëtare, duke tërhequr vëmendjen dhe gëzuar respektin edhe të Presidentit italian, Çampi, i cili e ka dekoruar atë në vitin 2004 me dekoratën “Ordine de la stela, de la solidarita italiana”. Po ashtu Pashko Gjeçi është laureant edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të 90-vjetorit të lindjes, përkthyesi i shquar Pashko Gjeçi nderohet nga Ministria e Kulturës me Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për kontributin e madh dhe vlerat që ka përcjellë në kulturën shqiptare me përkthimin mjeshtëror të veprës “Fausti” të shkrimtarit të shquar gjerman, Gëte.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›