E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballen në OKB

Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë do të përballen në Këshillin e Sigurimit gjatë paraqitjes së raportit tremujor të UNMIK-ut për Kosovën. Në seancën e radhës, e paraparë për në 7 nëntor, Kosova pritet të përfaqësohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hysenin, kurse Serbia me kreun e diplomacisë së saj, Vuk Jeremiç. Kjo seancë po pritet me vëmendje të posaçme, për shkak të negociatave që janë duke u zhvilluar për gjetjen e zgjidhjeve për gjashtë pikat e sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun dhe shtrirjen e EULEX-it. Megjithëse ende nuk është zyrtare data e mbajtjes së kësaj seance, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës konfirmojnë se ministri Hyseni është i gatshëm për këtë mbledhje dhe se pritet që më 5 nëntor të udhëtojë për në Nju Jork. “Nuk dihet saktësisht kur mbahet mbledhja e KS-së së OKB-së për Kosovën, ndërsa data orientuese është 7 nëntori. Kosova do të marrë pjesë, por nuk dihet ende niveli i përfaqësimit”, i tha gazetës “Express” në Prishtinë këshilltari politik i ministrit Hyseni, Kujtim Shala. “Ministri Hyseni është i gatshëm për këtë takim”, - vijoi Shala. Ai, megjithatë, ka shtuar se gjithçka varet nga formati i takimit të Këshillit të Sigurimit, pra nëse është takim i hapur ose jo. Raportimi i ardhshëm i shefit të UNMIK-ut para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për situatën në Kosovë, pritet të jetë mjaft i rëndësishëm, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me rikonfigurimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe bisedimet me Serbinë për çështjet kontestuese rreth policisë, gjykatave dhe doganave. Sipas zhvillimeve të fundit, ndonëse Ban Ki Mun do të donte që raporti i radhës të përfshinte zgjidhjet, këto mundësi janë minimizuar, për shkak të kushtëzimeve të Serbisë për shtrirjen e EULEX-it, me pranimin e propozimeve të saj për gjykatat, policinë dhe doganat nga ana e Prishtinës. Edhe në raportimin e fundit të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, Kosova ishte përfaqësuar me ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni. Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Jeremiç, do të udhëtojë sot për në Nju Jork, ku është planifikuar një takim me përfaqësues të Sekretariatit të Përgjithshëm të OKB-së dhe vendeve anëtare të KS-së. Jeremiç pritet t’u thotë bashkëbiseduesve, se “Beogradi zyrtar nuk do të kundërshtojë rikonfigurimin eventual të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, nëse ai bëhet në përputhje me Rezolutën 12 44, kushtetutën e Serbisë dhe përkrahjen e Këshillit të Sigurimit”, thuhet në njoftim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›