Han: “Jemi në Maltë për të fituar”
Dash Frashëri
Trajneri i Shqipërisë, Ari Han, u tregua shumë cinik me median malteze në konferencën e tij për shtyp, në prag të takimit Maltë-Shqipëri, duke i “trembur” jo pak të pranishmit në sallë me “ftohtësinë” e deklaratave.
“Ne jemi këtu për të fituar dhe sulmuar. Skuadra dëshiron të luajë një futboll të mirë dhe ne dëshirojmë të bëjmë një lojë plotësisht ofensive”, - citohet trajneri i katërt i huaj rresht i Shqipërisë nga faqja zyrtare e Federatës Malteze të Futbollit.
I veshur me një bluzë të kuqe, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit, komentoi edhe situatën rreth kampit maltez. “Malta është e uritur për pikë dhe është e uritur për gola. Ne e dimë se lojtarët maltezë mund të jenë shumë më të rrezikshëm sesa i pamë ata në muajin shtator (të vitit të kaluar) në Tiranë (Shqipëria fitoi 3-0)”, - tha ai.
Ari Han, 2 herë nënkampion i botës me Holandën si lojtar, foli edhe për mungesat e dy lojtarëve titullarë të skuadrës shqiptare, kapitenit Altin Lala dhe zëvendëskapitenit Lorik Cana, të padisponueshëm për shkak të dëmtimeve.
“Unë besoj”, - citohet pasuesi i Oto Bariçit, - “se ata që do t’i zëvendësojnë këta lojtarë do të bëjnë të pamundurën për të dëshmuar se e meritojnë ftesën për të qenë pjesë e ekipit të tyre Kombëtar”.
Han, një lojtar universal, gjithmonë sipas faqes malteze, kujtoi edhe momentet e tij personale nga Malta, kur ai kishte shkuar atje për të luajtur si pjesë e skuadrës belge “Standard Liezh” në një ndeshje kundër maltezëve të Valetës.
Kombëtarja zhvilloi dje edhe stërvitjen njohëse në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Trajneri Ari Han përfundimisht do të ketë në portë Isli Hidin, i cili ndihet në top-formë pas largimit nga Alki Larnaka në Qipro te Krivbasi në Ukrainë. Arian Beqaj, portieri më i mirë i kampionatit qipriot, vjen nga një dëmtim i gjatë dhe nuk është gati për të luajtur. “Hidi është në gjendje të mbrojë portën. Kualifikimi për në Botëror vjen përmes ekipeve të ashtuquajtura të vogla. Mosgrumbullimi i Hykës e Kapllanit është për çështje teknike, por për ta porta është e hapur”.
Tekniku holandez i kuqezinjve pritet të luajë me një sulmues me një skemë 4-4-1-1. Në portë do të jetë Isli Hidi. Mbrojtja është rreshtuar me katër lojtarë: Armend Dallku e Elvin Beqiri në qendër, Andi Lila në të djathtë, Kristi Vangjeli në të majtë. Mesfusha është kompozuar në një “romb këndgjerë”: në qendër Debatik Curri e pak më i avancuar Klodian Duro, në të majtë Ansi Agolli e në të djathtë Ervin Bulku. Sulmi nis me Ervin Skelën në rolin e tij të maskuar, si organizator dhe asistdhënës, ndërsa maja e vijës së parë pritet të jetë Erion Bogdani.
Shqipëria
Porta: Hidi
Mbrojtja: Lila (d), Dallku (d), Beqiri(q), (q), Vangjeli(m)
Mesfusha: Duro (m), Bulku (q), Curri (q), Agolli (d)
Sulmi: Skela (i tërhequr), Bogdani (pykë)
11 Shkurt 2009