Paskuqani, zona e nxehtë e numërimit të votave
Paskuqani ka qenë zona më e nxehtë dhe më problematike gjatë ditës së djeshme përsa i përket procesit të numërimit të votave në qarkun e Tiranës. Në komunën e Paskuqanit procesi i numërimit u ndërpre në dy qendra, në njërën prej të cilave u mendua se mungonte një numër i caktuar fletësh votimi. Sipas një komisionereje të Partisë Socialiste në Zonën 2042, janë plot 302 fletë që nuk figurojnë, nga 2166 fletë që janë në procesverbalin e bazës materiale. “Është një numër i madh fletësh që nuk figurojnë krahasuar me numrin e paraqitur në procesverbal. Për këtë arsye kemi ndërprerë procesin e numërimit dhe jemi në pritje të vendimit të KQZ-së”, - ka deklaruar komisionerja socialiste. Ajo denoncoi gjithashtu se kreu i KZAZ-së, i cili përfaqësonte PD-në, kishte ushtruar presion ndaj saj. Mungesa e proces-verbalëve dhe formularëve ku hidhen të dhënat ka bërë që të bllokohet procesi i numërimit në 6 komuna të bashkisë së Rrogozhinës.
Probleme të mëdha janë shënuar edhe në shkollën “Hasan Prishtina” në Tiranë. Kështu, në orët e para të mëngjesit, sekretari i KZAZ-së, i cili njëkohësisht ka qenë përfaqësuesi i PD-së është larguar nga procesi i numërimit të votave për arsye shëndetësore, duke marrë edhe vulën me vete. Ndërkohë, përfaqësuesit e PS-së kanë kërkuar që vula t’i kalonte komisionerit tjetër të PD-së, por një gjë e tillë është refuzuar. Procesi ka rifilluar në orën 14:00 të ditës së djeshme, por dhe pas rifillimit ka pasur probleme të theksuara, të cilat kanë shkaktuar tensione dhe debate midis komisionerëve dhe vëzhguesve.
1 Korrik 2009