E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rankimi, 35 universitetet publike dhe private janë futur në garë

SHKRUAN: Jonida Tashi 20-04-2011 15:05

Agjencia Publike e Akreditimit e Arsimit të Lartë publikon zyrtarisht emrat e universiteteve publike dhe private që janë përfshirë në procesin e rankimit. Ndonëse në total në vendin tonë numërohen 62 institucione të arsimit të lartë publik dhe privat, vetëm 35 prej tyre janë përfshirë në këtë proces, disa për arsye se nuk i ofrojnë katër fushat e studimit ku do të bëhet renditja, nuk kanë numrin e nevojshëm të studentëve që kërkohet, janë institucion i ri; të tjerë se nuk kanë pranuar të marrin pjesë, një ndër të cilët është edhe universiteti më i madh i vendit për nga numri i studentëve, Universiteti i Tiranës. Ashtu sikundër kishin bërë të ditur më parë vetë drejtuesit e tij, se nuk do merrnin pjesë në procesin e rankimit pa u bërë më parë akreditimi i universiteteve, Universiteti i Tiranës ka vendosur t’i thotë “Jo” këtij procesi, megjithëse i zotëron katër fushat e studimit për të cilat do të kryhet procesi i rankimit, që janë: Drejtësi/Juridik; Infermieri/Fizioterapi/ Mami; Shkenca Sociale; Ekonomi-Biznes. Zyrtarisht Agjencia e Akreditimit bën të ditur se ky institucion nuk ka plotësuar formularin e aplikimit për pjesëmarrjen në procesin e rankimit, që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri në katër fusha studimi dhe bazohet në dëshirën e vetë institucioneve për të marrë ose jo pjesë në të. Kjo iniciativë e Ministrisë së Arsimit është në vazhdimësi të përpjekjeve për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Ky është një projekt pilot me kohëzgjatje tetor 2010-korrik 2011, ndërsa, kushtet kryesore të pjesëmarrjes në këtë proces rankimi janë: universiteti duhet të ofrojë një program studimi të ciklit të parë “Bachelor”, pjesë e një prej katër fushave të mësipërme; të ketë studentë në vitin e tretë të programit të studimit (në disa raste janë konsideruar dhe programe studimi që kanë studentë në vitin e dytë, për shkak të numrit të vogël të institucioneve; çdo fushë studimi duhet të këtë më shumë së 15 studentë për t’u përfshirë në procesin e rankimit. Implementimi dhe realizimi i këtij projekti bëhet i mundur nga bashkëpunimi i tre institucioneve: Centre for Higher Education (CHE); Agjencia Publike e Akreditimit e Arsimit të Lartë (APAAL); Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Në vitet në vijim, APAAL në bashkëpunim me institucione të tjera kombëtare e ndërkombëtare, do të jetë organizatori dhe finalizuesi i renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Sipas APAAL-së, rëndësia e këtij procesi është shumëplanëshe, por më kryesorja qëndron në informimin e studentëve të ardhshëm për situatën e arsimit të lartë në vendin tonë, në mënyrë që përzgjedhja e institucionit ku ata do të studiojnë të jetë në përputhje me kërkesat dhe cilësinë e studimeve që ata duan. Në të njëjtën kohë ky proces do të ndihmojë vetë universitetet për të parë gjendjen reale të tyre, krahasuar me universitetet e tjera, duke vënë në dukje pikat e forta dhe të dobëta të secilit. Po ashtu, ky informacion do t’u shërbejë edhe drejtuesve të institucioneve, këshillave të profesorëve, rektorëve e dekanëve, të cilët mund të orientojnë zhvillimin e institucionit në ato drejtime të cilat duhet të përmirësohen. Gjithashtu, informimi me të dhëna të besueshme i institucioneve vendimmarrëse e politikëbërëse në fushën e arsimit të lartë dhe i publikut në tërësi për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, do të ketë rëndësinë e vet në këtë drejtim. Agjencia e Akreditimit sqaron se procesi nuk ka për qëllim krahasimin e institucioneve me njëri-tjetrin, por nëpërmjet treguesve sasiorë e cilësorë, të japë një pamje reale të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.

Fushat për të cilat do të kryhet procesi i rankimit

Fushat e studimit dhe programet e përbërëse të secilës fushë

1. Juridik/Drejtësi: Juridik, Drejtësi, Jurist biznesi

2. Infermieri: Infermieri e përgjithshme, Mami, Fizioterapi

3. Shkenca sociale: Sociologji, Shkenca komunikimi, Shkenca politiko-administrative, Marrëdhënie ndërkombëtare, Filozofi-Sociologji, Shkenca politike

4. Ekonomi-Biznes: Drejtues finance, Financë-Bank, Menaxhim biznesi, Financë- Kontabilitet, Financë, Marketing, Menaxhim-Agrobiznesi, Ekonomi dhe Politika agrare, Ekonomiks, Ekonomi turizmi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›