Invalidët, dita e 6-të e grevës, dy gra në spital
Vijon rezistenca e grevistëve: Do të qëndrojmë këtu deri në pikën e fundit, edhe sikur të vdesim
Dy pjesëtarë të grevës së urisë të para dhe tetraplegjikëve janë dërguar mesditën e djeshme në spital, pasi gjendja e tyre është përkeqësuar. Bëhet fjalë për dy gra greviste, Shpresa Spahiu dhe Natasha Mançka, shëndeti i të cilave në ditën e gjashtë të grevës së urisë nuk ka mundur të rezistojë në këtë gjendje. Por, përveç këtyre dy grave, edhe gjendja shëndetësore e 22 protestuesve të tjerë është përkeqësuar edhe më shumë.
Edhe pse një pjesë e tyre kanë probleme me zemrën, kontraksione në gjymtyrë dhe probleme me tensionin, ata shprehen se nuk do të dalin nga greva deri në plotësim të kërkesave të tyre. “Gjendja shëndetësore sa vjen dhe rëndohet për arsye të tensionit, të kontraktimeve, të ritmit të zemrës. I bëj apel qeverisë që të marrë një vendim për ne”, - është shprehur grevistja Mybere Prizreni. “Mbrëmë më thanë mjekët për të dalë nga greva, por nuk dal, do të rri këtu me shokët deri në pikë të fundit. Kemi tre vjet që kërkojmë këto pikat dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim, pra gënjejnë. Nuk dal këtej, edhe këtu të vdes”, - thekson grevisti Kujtim Sargo. Kryetari i Këshillit të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj, tha se pritet që të ketë një reagim brenda pak ditësh nga strukturat e qeverisë, mbi problemet ekonomike të para dhe tetraplegjikëve. “Nga kontaktet që unë po mbaj me Ministrinë e Punës dhe me personalitete të tjera, është duke u shqyrtuar çështja dhe do të mbahet një qëndrim, shpresoj sot (dje) ose nesër maksimumi dhe do të kthehet një përgjigje se çfarë do të ofrohet nga kërkesat e tyre. Ata kanë përgjegjësinë që këto kërkesa duhet t’i kishin shqyrtuar me kohë dhe të ndërtohet një bashkëpunim real institucional”, - theksoi Tafaj. Dy ditë më parë përfaqësuesit e Ministrisë së Punës kanë zhvilluar një vizitë në ambientet ku zhvillohet greva dhe ku janë ndeshur me revoltën e grevistëve. Duke marrë shkas nga situata e krijuar dhe nga shëndeti i grevistëve, Ministria e Punës u ka kërkuar këtyre të fundit të ndërpresin grevën e urisë dhe të ulen në bisedime.