Infeksionet respitarore, mbi 11 mijë fëmijë të prekur në javë
Stina e pranverës dhe luhatjet e temperaturave duket se kanë shtuar ndjeshëm numrin e infeksioneve respiratore në vendin tonë. Sipas Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, brenda një jave në të gjithë vendin mjekët kanë raportuar 11 639 raste me infeksione respiratore. Shifra i referohet periudhës 28 mars - 3 prill, dhe më konkretisht ndarja midis infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është respektivisht 7 108 të parat dhe 4 531 të dytat. Por, me gjithë numrin e lartë të të prekurve nga problemet me frymëmarrjen brenda një jave, sipas specialistëve të Shëndetit Publik, trendi në kohë i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rënie në javën e 13-të krahasuar me javën paraardhëse, java e 12-të. Ndërkaq, shpërndarja e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme sipas javëve dhe grup-moshave ka rezultuar më e lartë te fëmijët më të mëdhenj se 5 vjeç. Më konkretisht, te fëmijët më të vegjël se 5 vjeç janë regjistruar 3 052 infeksione respiratore të sipërme dhe 1 928 infeksione respiratore të poshtme. Kurse te ata më të mëdhenj se 5 vjeç, 4 056 infeksione respiratore të sipërme dhe 2 603 infeksione respiratore të poshtme. Bazuar në ecurinë e survejancës sindromike “Alert”, për periudhën 28 mars - 3 prill 2011, përveç infeksioneve respiratore, mjekët u kanë raportuar specialistëve të Shëndetit Publik edhe një shtim të rasteve me diarre, që në total shkojnë në 918 për një javë. Krahasuar me javën paraardhëse (12-të), sipas specialistëve të Shëndetit Publik, trendi në kohë i diarreve pa gjak paraqet 17% rritje në javën e 13-të. Po ashtu, gjatë periudhës së fund marsit dhe fillim prillit, specialistët e ISHP-së kanë regjistruar edhe 10 raste me variçelë, sëmundje e njohur ndryshe si lija e dhenve. “ 9 raste janë raportuar nga rrethi i Tiranës dhe 1 rast nga rrethi i Fierit. Nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, mjekët infeksionistë dhe epidemiologë të rretheve përkatës, rastet nuk janë suspekt fruth apo rubeolë, por variçelë”, - thuhet në raportin e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive. Ndërkaq, gjatë javës së 13-të të survejancës është konstatuar edhe 1 rast me verdhëz dhe po 1 me ethe të pashpjegueshme.
Numri total i rasteve të sindromave të survejancës “Alert”
Diarre pa gjak 918
Diarre me gjak 0
Inf. resp. të sipërme 7 108
Inf. resp. të poshtme 4 531
Raste me temperaturë 10
Verdhëza 1
Hemorragji me temperaturë 0
Suspekt meningitis 0
Ethe të pashpjegueshme 1
Numri i njësive raportuese 365 ose 87%