E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në kopsht, priten ndëshkime ndaj abuzuesve

20/04/2010 Vetëmbrojtja:Një fëmijë ka aftësi në matematikë, por jo në histori, është me aftësi të kufizuar

GJIROKASTËR - Rreth një muaj më parë, shkrimtari Viron Graçi mbeti i shtangur kur dikush i tha se djali i tij vuante me probleme mendore, ndërsa në fakt vogëlushi gëzon shëndet të mirë, madje shumë të zhvilluar.

Falsifikimi

Menjëherë, shkrimtari dhe pedagogu i Letërsisë në universitetin "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës, nisi hetimin për të gjetur burimin e informacionit se djali i tij ishte i sëmurë.

Gjurmët e çuan te kopshti i të birit. "Drejtuesja e këtij institucioni ka abuzuar me shëndetin e tim biri, duke falsifikuar kartelën shëndetësore dhe për këtë arsye unë kam ngritur padi penale ndaj saj", shpjegon Graçi. Djali i tij është përfshirë në një projekt për fëmijët me aftësi të kufizuara, pa dijeninë e prindërve, dhe siç thotë Graçi, "pavarësisht kundërshtimit të dy edukatoreve të kopshtit". "Çdo prind ka interes të mësojë të vërtetën për fëmijët e vet, por mënyra se si e kanë trajtuar tim bir pa më thënë asgjë më ka befasuar", shton ai.

Kërcënimi

Sipas tij, drejtoresha e ka kërcënuar dhe provokuar, duke deklaruar se "kam njerëz shumë më të rëndësishëm dhe nuk keni çfarë të më bëni". Tefta Zhulla, drejtoreshë prej 4 vjetësh në kopshtin "Cicërima" në Gjirokastër, pohon se termi "aftësi e kufizuar" nuk është mirëkuptuar nga prindërit dhe nga stafi i edukatorëve. "Është e vërtetë që prindërit e fëmijëve të përfshirë në projekt nuk janë njoftuar nga edukatoret", thotë Zhulla, duke theksuar se shumë shpejt priten masat administrative për personat përgjegjës. “Prindërit duhet të ishin vënë në dijeni qysh në fillim të projektit, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Në këtë rast ata kanë të drejtë të aludojnë dhe kjo përbën një shkelje shumë të rëndë administrative", shton ajo. Sipas saj, prindërit kanë të drejtë të keqkuptohen kur informacioni nuk përcillet tek ta, sidomos ku bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve. Zela Koka, nga shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar "Metpark" me qendër në Tiranë, thotë se projekti ka si qëllim të realizojë të drejtat për arsimim, duke krijuar kushte gjithëpërfshirje për çdo fëmijë.

Projekti

"Qëllimi është të realizojnë të drejtën për arsimim të fëmijëve të kufizuar duke krijuar kushte gjithëpërfshirëse, si në kopsht dhe në shkollë", pohon Koka. Ajo tregon se gjithëpërfshirja është një proces i gjatë që kërkon ndryshime politike, praktike dhe kulturore. Por zoti Koka nuk ka sqaruar nëse 25 fëmijët e trajtuar si fëmijë me aftësi të kufizuar kanë qenë vërtetë me aftësi të kufizuar. Por së fundmi arma më e fortë mbetet tek interpretimi i termit “fëmijë me aftësi të kufizuar”.

"Termi fëmijë me aftësi të kufizuar ka kuptim të gjerë, gjë fatkeqësisht keqinterpretohet nga shumë prindër. Një fëmijë ka aftësi në matematikë, por jo në histori. Pra, ky fëmijë ka aftësi të kufizuar dhe projekti që po zbatohet në 3 rajone, Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë, ka si qëllim që mësuesja apo edukatorja të përqendrohet tek fëmija atje ku ka prirje", shpjegon Koka, duke nënvizuar se në qytetin e Gjirokastrës ky projekt zbatohet në katër kopshte dhe katër shkolla.

Zhulla nënvizon se programi ishte miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Drejtoria Arsimore rajonale e Gjirokastrës dhe ka pasur impakt pozitiv në integrimin e fëmijëve në sistemin parashkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës dërgoi të hënën një grup për verifikimin e çështjes së këtij kopshti.

MASH grup kontrolli tek kopshti “Cicërimat”

Katër punonjës dyshohet të kenë falsifikuar kartelat shëndetësore

GJIROKASTËR - Tre përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan të hënën kopshtin "Cicërima" në Gjirokastrës, pasi katër punonjës të arsimit parashkollor dyshohet se kanë falsifikuar kartelat shëndetësore të 25 fëmijëve të moshës nga 3-6 vjeç, pa dijeninë e prindërve.

Arjan Pano, drejtori i arsimit rajonal për qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur, se procedura e kontrollit nga përfaqësuesit e ministrisë do të zgjasin 3 ditë dhe në rast se konstatohen parregullsi do të ketë masa të ashpra administrative për personat përgjegjës. "Nga informacionet e deritanishme rezultojnë se prindërit fatkeqësisht nuk janë njoftuar nga edukatoret për projektin e diferencuar, gjë që përbën një gabim të rëndë administrativ", tha Pano. Nga hetimet paraprake rezultojnë se katër punonjës të Drejtorisë Arsimore të Gjirokastrës dyshohen se në fshehtësi të plotë dhe pa dijeninë e prindërve, kanë falsifikuar për përftime personale prej tre vitesh kartelat shëndetësore të 25 fëmijëve nga mosha 3-6 vjeç duke i listuar ata si fëmijë me aftësi të kufizuar dhe duke i futur në një projekt për trajtimin e tyre si të këtillë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›