E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virozat e stinës, si duhet t’i mbani nën kontroll



Jonida Tashi

Ndërrimi i klimës dhe luhatjet e temperaturave janë dy ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë virozat e stinës. Aktualisht, me uljen e temperaturave, kolla dhe sëmundjet e fytit janë virozat më të pranishme te të gjithë njerëzit. Virozat, ose siç njihen ndryshe katare stinore, në këtë ndërrim temperaturash janë pothuajse normale. Shenjat janë thuajse të njëjta, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë e temperaturë. Por, sipas mjekëve, ky nuk është grip. Madje edhe nëse përsëritet, sërish nuk kemi të bëjmë me grip. Shpesh njerëzit e ngatërrojnë, por gripi është tjetër gjë, ka shtrirje dhe përhapje më të gjerë nga katari stinor. Përveç rasteve me katare stinore, në këtë stinë paraqiten dhe raste të alergjive dhe bronkiteve kronike, që në këtë periudhë të vitit rishfaqen. Çdo vit ai “koktej” virusesh, i njohur si grip, na detyron të rrimë me ditë të tëra në shtrat me temperaturë, dhimbje muskujsh, mungesë oreksi, kollë dhe dhimbje koke. Më poshtë jepen disa këshilla se si duhet të veproni nëse jeni prekur nga gripi, çfarë mund të përdorni dhe si të shmangni antibiotikët. Shkaqet janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, luhatjet e theksuara të temperaturës, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. Më të predispozuar për t’u prekur nga këto viroza janë personat alergjikë, të cilët janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe cilësia e ajrit. Por nuk përjashtohet asnjë njeri. Të gjithë jemi të rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza.
Simptomat
Këto viroza shfaqen me teshtima, bllokim e kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, temperaturë të lartë. Madje karakteristikë e këtyre katareve stinore është temperatura e lartë deri në 40 gradë. Pacienti, në të njëjtën kohë, shfaq mungesë oreksi, dhimbje koke dhe kollë. Këto shqetësime mund të zgjasin deri dhe në 4-5 ditë dhe më pas shenjat kryesore zbuten, derisa pas një jave zhduken plotësisht dhe mund të mbetet vetëm kolla. Nëse kalon mbi këto ditë mund të mendohet për komplikacione. Këto mund të jenë një trako bronshiti, bronshiti difuz dhe bronkopneumonie. Shenjat e komplikacioneve janë mjaft të dukshme. Kështu, nëse temperatura më pas është qetësuar dhe rishfaqet sërish e lartë, duhet të mendojmë se ka komplikacione. Kur kolla është me sekrecione, shtohet dhe bëhet më e fortë kur pacienti ka dobësi të përgjithshme, dhimbje kraharori, humbje të oreksit, kemi të bëjmë me komplikacione dhe sa më parë duhet bërë kontrolli te mjeku, për të marrë trajtimin e duhur me antibiotikë specifikë.
Antibiotikët
Tri ditët e para është normale që temperatura të jetë e lartë dhe mund të zgjasë deri në pesë ditë. Por kurrsesi nuk duhet ndërhyrë me antibiotikë, sepse i duhet lënë kohë organizmit që të reagojë. Thjesht ajo duhet mbajtur nën kontroll dhe vetëm nëse ajo ripërsëritet, pra nëse pas një periudhe qetësie rishfaqet, vetëm atëherë duhet përdorur antibiotiku. Medikamenti më i mirë për uljen e temperaturës është paracetamoli, veçse që të ketë efekt ai duhet përdorur një herë në katër orë. Disa mjekë janë kundër përdorimit të antibiotikëve për trajtimin e virozave. Sipas tyre, kjo sëmundje kërkon trajtim sistematik dhe vetëm në raste të rralla mund të rekomandohen antibiotikë të lehtë. Kjo rekomandohet kur mjeku mendon se pacienti mund të ketë infeksion, pra kur pacienti, përveç shenjave të mësipërme, ka bajame të skuqura, e ka fytin shumë të skuqur apo ka zë të ngjirur. Shpesh ngjirja e zërit mund të jetë në sinjal i pranisë së infeksionit të faringut. Për dhimbjen e fytit zakonisht rekomandohen karamelet e mentolit, ose në kushte shtëpie mund të bëhen avuj me mentol. Për kollën mund të përdoren çajet, ndërsa te alergjikët rekomandohen dhe antihistamikët. Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, 2 deri në 3 litra në ditë. Gjithashtu ata këshillojnë që të sëmuret që kanë kollë, të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë. Sipas tyre, kjo është një kurë mjaft e mirë për të larguar kollën.
Stomaku
Gastro-enteritet shfaqen më tepër në stinën e nxehtë të verës për shkak të temperaturave të larta. Shkaqet janë viruse të ndryshme, që janë patogjenë për aparatin tretës. Në ajër janë gati 200 viruse që qarkullojnë, disa prej të cilëve kur gjejnë terren të përshtatshëm bëhen patogjenë dhe prekin aparatin e frymëmarrjes duke shfaqur atë që quajmë: “grip”, “rrufë”, etj. Ndërsa të tjerë mund të prekin aparatin tretës, duke u shfaqur gastro-enteritet, të cilët s’janë gjë tjetër veçse inflamacion i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e holla dhe ato të trasha. Në verë numri i rasteve mund të jetë më i lartë, sepse shfaqja e gastro-enteriteve favorizohet nga temperaturat e larta. Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku, të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura. Në rastet kur mund të shfaqet diarre nuk duhen marrë menjëherë medikamente, pasi diarreja apo edhe të përzierat, janë reagim mbrojtës i organizmit, dhe në këtë mënyrë trupi largon mikrobet dhe kimikatet që gjenden në të. Prandaj këshillohet që me shfaqjen e diarresë të mos merren menjëherë ilaçe, por vetëm pas 24 orëve të para, kohë e mjaftueshme për organizmin që të “vetëpastrohet”. Në rast të kundërt, organizmi nuk do të arrijë të pastrohet nga toksinat që lëshojnë këto dhe do nisin të shfaqin efekte anësore: dhimbje koke, dobësi dhe mund të ndodhë që problemet të rishfaqen dhe pas disa ditësh.
Rreziku
Nuk ka grupmosha më tepër të riskuara dhe më të mbrojtura, çdokush mund të infektohet për vetë natyrën e shkaktarëve dhe mënyrës së transmetimit. Për këtë arsye rekomandohet që të gjithë të tregojnë kujdes maksimal, sidomos personat që kanë sistem imunitar të dobët. Përsa i përket trajtimit, mjekimi bëhet në varësi të gjendjes dhe shkaktarëve. Kështu në rastet e gastro-enteriteve inflamatore, që janë kryesisht me natyrë bakteriale mund të përdoren antibiotikët. Ndërsa në rastet që nuk i përgjigjen mjekimit apo që kanë kaluar në fazë dehidrimi të rëndë, natyrisht kërkohet trajtim i specializuar në spital. Në përgjithësi rekomandohet trisol, sidomos për fëmijët, i cili mund të përgatitet në kushtet e shtëpisë. Një paketë trisol hidhet në 1 litër ujë të pastër, zihet, ftohet dhe i jepet pacientit që ta pijë. Duhet treguar kujdes ndaj sasisë së ujit, as më pak e as më shumë, sepse çdo ndryshim në sasi ndikon në efektit e trisolit. Fakti që janë viruse që qarkullojnë në ajër e bëjnë të pamundur mbrojtjen komplete. Gjithsesi rekomandohet shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, vendet e mbipopulluara, respektimi i një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm, dhe personat që kanë depozita në shtëpi, duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë.

Shenjat
Diarre e ujshme
Të vjella ose të përziera
Dhimbje koke
Ethe
Dhimbje stomaku
Këputje trupi
Temperaturë
Mungesë oreksi
Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh

Këshilla
Mbani nën kontroll temperaturën. Çdo 4 orë duhet të përdorni paracetamol
Përdorni avuj për hundët e bllokuara
Përdorni shumë çaj
Përdorni sa më shumë lëngje
Përdorni vitaminë C, sepse rrit rezistencën e organizmit
Kontroll te mjeku për çdo lloj simptome të re

Të rejat nga shkenca/ Me zink kundër barkqitjeve

Preparatet e zinkut mund t’u ndihmojnë fëmijëve të cilët kanë barkqitje, por me kusht që ata të kenë më shumë gjashtë se muaj. Studimi i cili është realizuar në Azi, Amerikë Jugore dhe Afrikë, ka treguar se zinku zvogëlon kohëzgjatjen e barkqitjeve. Barkqitja është shkaktar i shpeshtë i vdekjes te fëmijët e moshave ndërmjet gjashtë muaj dhe pesë vjet në vendet në zhvillim. Zinku është mineral i cili ka rol të rëndësishëm në zhvillim e trupit si edhe në funksionimin e rregullt të sistemit tretës dhe atij imun. Burimet kryesore të zinkut janë mishi i kuq, peshku dhe produktet e qumështit.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›