Pastor: Të normalizojmë raportet me Kosovën

"Politika “edhe Kosovën edhe BE-në” i takon të kaluarës dhe nuk shkon në drejtimin që ne e dëshirojmë. Politika të cilën udhëheq presidenti Boris Tadiç dhe qeveria e Serbisë nënkupton zgjedhjen e Kosovës para BE-së" ka deklaruar kreu i Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, Istvan Pastor.
“Duhet t`i kthehemi realitetit, të pranojmë se kemi fqinj një shtet, të cilin e kanë pranuar 22 vende anëtare të BE-së. Rekomandoj që t`i normalizojmë raportet me fqinjët, t`i themi mirëmëngjesi dhe mirëmbrëma. Kjo nuk do të thotë, njohje formale”, ka deklaruar Pastor në një bisedë për Blic.
Ai ka thënë se presidenti dhe qeveria serbe po tentojnë që t`i kthejnë gjërat si më parë, mirëpo, sipas tij, ajo gjendje ka përfunduar para dhjetë vitesh.
Për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhet ta ndërrojë politikën ndaj Kosovës, pohon Pastor, përndryshe në mars nuk do të ketë fjalë të mira për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
“Për herë të parë jam përballur me çështjen e Kosovës në vitin 1979. Atëherë djali im ishte dy vjeç. Sot, nipi im është dy vjet, ndërsa akoma po flitet për çështjen e Kosovës. Nëse tre gjenerata nuk mjaftojnë që kjo çështje të zgjidhet, atëherë kemi një problem të madh”, ka shtuar Pastor.