E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi dhe largimi i mbeturinave, mbi 5 mijë subjekte janë debitorë

Parashikimi për tarifën e pastrimit supozon që baza e tarifës do të rritet me një dinamikë vjetore prej 5% gjatë pesë viteve të ardhshme, si pasojë e progresit në rifreskimin e bazës së të dhënave për klientët. Niveli i tarifës do të rritet për vitet 2009 dhe 2010 përkatësisht me 27% dhe 15%. Në rastin e shkallës së vjeljes së tarifës parashikohet që shkalla do të rritet me një dinamikë vjetore prej 5% për vitet e ardhshme të parashikimit. Sipas ekspertëve të Bashkisë së Tiranës, faktor pozitiv mbetet ndërgjegjësimi i taksapaguesve për këtë shërbim mjaft të rëndësishëm të qytetit shprehur dhe në opinionet qytetare. "Faktor ky që është shoqëruar me kontrollin në terren dhe identifikimin e saktë të subjekteve, theksojnë ekspertët, parashikojmë të sjellë rezultate pozitive në realizimin e kësaj tarife". Aktualisht për vitin 2008 për tarifën e pastrimit janë evidentuar një numër i konsiderueshëm subjektesh debitorë. Numërohen plot 5 614 subjekte që nuk e kanë shlyer këtë detyrim edhe pse ajo duhej të likuidohej brenda 20 prillit të 2008-ës. Bazuar në të dhënat e regjistrit vendor për tarifën e pastrimit për vitin 2009 parashikohet një numër prej 24 050 subjektesh aktivë.

Ekspertët e hartimit të buxhetit në bashki pohojnë se mbledhja e kësaj tarife është e lidhur ngushtësisht me tërë llojet e biznesit në qytetin e Tiranës përfshirë ambulantët, tregtarët e tregjeve etj. Nisur nga një fakt i tillë, ata shprehen se një fenomen negativ që ndikon në rritjen e numrit të debitorëve që nuk e shlyejnë këtë tarifë mbetet hapja dhe mbyllja e aktiviteteve tregtare brenda vitit fiskal për shkak të konkurrencës. Në buxhetin e 2009-ës është propozuar një parashikim i kësaj tarife në masën prej 1.120.000.000 lekë. Nga këto të ardhura 560.000.000 do të jenë pagesa të derdhura nga ana e kategorisë së familjarëve dhe 560.000.000 lekë nga kategoria e biznesit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›