E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirëmbajtja e rrugëve kryeqytetase, fillon aplikimi i tarifës së re

Bashkia e Tiranës do të përcaktojë një tarifë të posaçme për rrugët hyrëse në kryeqytet, ku automjetet e ndryshme do të duhet të paguajnë një detyrim fiks. Kjo do të përbëjë atë që quhet

tarifa për mirëmbajtjen e rrugëve qytetase. Ekspertët e bashkisë konfirmojnë se kësaj tarife do t‘u nënshtrohen të gjitha mjetet përdoruese të rrugës, sipas klasifikimit përkatës.

Ata pohojnë se "kjo tarifë do të aplikohet në rrugët kryesore hyrëse të qytetit të caktuara nga Bashkia e Tiranës". Ndërsa theksojnë se qëllimi i vendosjes së kësaj tarife është realizimi i shërbimit të mirëmbajtjes dhe zhvillimit të sistemit rrugor qytetas të Tiranës. I realizuar ky nëpërmjet pagesës së tarifës nga automjetet e tonazhit të rëndë, si pasojë e qarkullimit të madh të tyre në qytetin e Tiranës. Një tjetër fakt është vetë rëndësia ekonomike e kryeqytetit si metropol dhe si pasojë e zhvillimit dinamik të tij.

Kjo tarifë përfshin brenda rrethit të detyrimit të saj autoveturat 8+1, automjetet për transport të përzier, që përfshijnë mjetet që kanë një peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 3.5 tonë. Aty hyjnë edhe autobusët, ku nga kjo tarifë përjashtohen vetëm mjetet e shërbimit qytetas. Ndërsa do të duhet të paguajnë kamionët, tërheqësit, automjetet për transport të veçantë, autotrenat, gjysmërimorkiatorët, autokampet, makina ngarkim transporti si: autobetoniere, pompa betoni, autovinça, makina gërmimi etj.

Në vitin 2009 kur mendohet që të fillojë zbatimi i kësaj tarife është përllogaritur që parashikimi i saj të jetë në shumën 200.000.000 lekë. Ndërsa në vitin 2010 kjo shumë të arrijë vlerën e 220.000.000 lekëve. Kjo pasi bëhet e ditur se janë marrë masat për përgatitjen e elementeve dhe strukturave të nevojshme për arkëtimin e kësaj tarife.

Mjaft e rëndësishme për buxhetin bashkiak, por edhe detyrimin e qytetarëve është edhe tarifa e parkimit. Parashikimi për pagesë supozon që shërbimi do të zgjerohet (do të zhvillohen zona parkimi me pagesë) duke kapur një kapacitet operues të plotë në 2011. Për këtë arsye, ekspertët mendojnë që të ardhurat të rriten me një dinamikë vjetore prej 10% në vitet e ardhshme dhe pasi sistemi do fillojë të përmirësohet dhe të operojë normalisht. Aktualisht, tarifa për parkimin e automjeteve zbatohet për të gjitha vend-parkimet me pagesë, vend-qëndrimet e mjeteve të licencuara taksi dhe atyre të miratuara me rezervim. Ekspertët vënë në dukje se burimi i të ardhurave nga kjo tarifë është mjaft i madh po të veprohej mbi të gjitha vend-parkimet e miratuara ose me zbatimin e metodave të reja për këtë tarifë. Struktura e ngarkuar për mbledhjen e kësaj tarife është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.

Një tjetër tarifë lokale që përfshihet brenda buxhetit 2009 është edhe ajo për kopshtet, çerdhet dhe konviktet.

Parashikimi për këto tarifa supozon që shërbimi do të ofrohet në nivelet e deritanishme gjatë periudhës së llogaritur nga ekspertët. Për këtë arsye, baza e klientelës do të jetë e njëjtë, gjatë gjithë periudhës së parashikimit. Tarifa do të rishikohet gjatë kësaj periudhe. Ndërsa për vitin 2009 parashikohet një rritje prej 16% dhe për vitet në vijim do të ndryshojë me 8-10%. Në rastin e shkallës së grumbullimit të tarifës skenar, supozohet që do të ngelet e njëjta sasi si deri më tani.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›