E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galeria ilegale, vdes nën 40 ton gurë e krom minatori

Fetah Shehu po punonte për llogari të një kompanie private në Zonën D të minierës së Bulqizës, e cila ishte mbyllur si e pasigurt. Në një muaj, 4 persona kanë humbur jetën në galeritë e kromit, tre prej të cilave ilegale

Bulqizë-Fetah Shehu humbi jetën dje nën 40 ton gur e krom që u shembën ndërsa ai tentonte të nxirrte mineral për një kompani private, që shfrytëzonte në mënyrë të paligjshme këtë sektor të shpallur të mbyllur nga autoritetet për shkak të pasigurisë së minierës së Bulqizës. 55-vjeçari baba i tre fëmijëve, është i 4-ti minator që humb jetën në më pak se një muaj, kur dy të rinj humbën jetën tri ditë më parë në Tropojë, ndërsa para tri javësh një shpërthim po në Bulqizë i mori jetën një 39-vjeçari dhe plagosi tetë të tjerë. Nuk ka të dhëna të përgjithshme mbi numrin e të vdekurve në minierat e kromit legale dhe ilegale, ndërkohë që me gjithë urdhrat për mbylljen e tyre, pjesa më e madhe shfrytëzohen ilegalisht.

Shehu, minatori që humbi jetën, punonte për kompaninë ACR, por duke qenë se kjo kishte disa muaj që nuk punonte ai ishte duke punuar për një të tretë. Ngjarja ndodhi në një galeri të bllokuar nga RISHM-i për shkak të kushteve tejet të rënda që ajo kishte. Burime nga policia thanë se rreth orës 12:30 Fetah Shehu, 55 vjeç, babai i tre fëmijëve ka mbetur në galerinë nr.66, në zonën D, pak kilometra mbi qytetin e minatorëve. Dëshmitarë dhe burime nga grupi i hetimit thanë për “Mapo” se Shehu dhe dy të rinj të tjerë ishin porositur nga një privat, emri i të cilit është ende i paqartë, për të punuar në këtë galeri të braktisur dhe pa leje të shfrytëzimit minerar.

Fetah Shehu punonte prej më shumë se 25 vitesh në minierë. Burime jo zyrtare nga grupi i hetimit thanë se Shehu ishte ftuar nga një biznesmen privat që shfrytëzonte këtë galeri në rrugë të paligjshme, për të parë gjendjen e saj në thellësi dhe për të dhënë sugjerime sesi duhej vepruar për avancimin dhe shfrytëzimin e saj. Ndërkohë, një burim tjetër shtoi se 55-vjeçari kishte realizuar një shpërthim me dinamit dhe në momentin e shembjes po këqyrte gjendjen teknike të minierës, pasi ajo ishte e braktisur dhe dihej shkalla e lartë e amortizimit të saj. Dy të rinjtë që kanë qenë pak metra larg frontit ku ndodhej Shehu, janë shprehur se kanë dëgjuar zhurmë dhe vunë re shuarjen e dritës që mbante minatori me përvojë dhe kanë kuptuar se galeria nisi të shembej. Kanë vrapuar për të dalë jashtë galerisë së vdekjes dhe kanë njoftuar policinë e Bulqizës, “pronarin” e galerisë pirate si dhe minatorë të tjetër për ndihmë. Deri në mbërritjen e specialistëve të RISHM-it minatorët nuk kanë guxuar t’i afrohen frontit të punës ku shembja vazhdonte pa pushim.

Rreth orës 17.30 është mundësuar largimi i të paktën 40 ton material inerte dhe nxjerrja e viktimës. Ndërkohë që menjëherë në vendin e ngjarjes janë ndodhur efektivë të policisë, prokurorë të Dibrës dhe specialist të RISHM-it, të cilët nisën punën për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi i hetimit thanë se Shehu dhe mjaft minatorë të tjerë të ACR-së kanë punuar gjatë ditëve të protestave në galeritë e braktisura ose të palicencuara, duke tentuar kështu të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Pas nxjerrjes nga galeria, trupi i minatorit i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore dhe më pas është transportuar për në fshatin e lindjes, Dushaj. P.Hasa

Rasti i 18 tetorit

Një i vdekur për shkak të shpërthimit të gazit

Një shpërthim i fuqishëm në thellësitë e minierës më 18 tetor i mori jetën një minatori 39-vjeçar dhe plagosi rëndë tetë minatorë të tjerë. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur si pasojë e shpërthimit të gazit të hidrogjenit në thellësitë e galerive të kësaj miniere, në pusin nr.2. Mësohet se shkak i shpërthimit të fuqishëm ka qenë një pakujdesi dhe gazi metan në nivelin e 16-të, kur minatorët e ajrimit kanë qenë rreh 150 metra larg vatrës së shpërthimit. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur jetën minatori Naim Shyti, babai i dy fëmijëve dhe janë plagosur 8 minatorë të tjerë.

Tropoja dhe Kalimashi

Katër minatorë kanë humbur jetën prej shtatorit nga shembjet që kanë ndodhur në galeritë e palicencuara në Tropojë dhe Kalimash. Ngjarja e Tropojës ndodhi vetëm tri ditë më parë, ku shembja e galerisë ilegale u mori jetën dy të rinjve, ndërsa u plagos një i tretë. Ngjarja në Kalimash është e mesit të shtatorit dhe po ashtu si në rastin e Tropojës, dy persona kanë humbur jetën në galerinë që ishte ilegale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›