Një qytetar - një pemë; NBG-ja mbjell 50 pemë në Tiranë
Nismës së Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në shtimin e sipërfaqes së gjelbër i është bashkuar sot Banka Kombëtare e Greqisë e cila kontribuoi në mbjelljen e 50 pemëve në segmentin e rrugës “Perlat Rexhepi”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, tha për mediat: "Falë kontributit të një tjetër banke, sot mbjellim një numër pemësh të reja". Rama shtoi më tej: “Janë të shumta përgjigjet pozitive që po marrim, por kemi nevojë akoma për më shumë, sepse çdo pemë që mbjellim sot, është një garanci më shumë për Tiranën e së nesërmes, për qytetin e fëmijëve dhe më të moshuarve, që kanë më shumë nevojë për një qytet të shëndetshëm, për një mjedis më të ekuilibruar”. Deri tani nismës "Një qytetar - një pemë" i janë bashkuar disa kompani dhe banka që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë, si Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen Bank, Credins Bank, Procredit Bank, kompania Ferlut , AK Investment etj. Nëpërmjet kësaj nisme Bashkia e Tiranës synon të mbjellë rreth 3 000 pemë të reja në rrugët dhe parqet e kryeqytetit.
Kukës
Ulet numri i të papunëve, rritet ndihma ekonomike
Rritja e kontrollit ndaj punësimit në të zezë, në biznesin e madh kryesisht, po ndikon pozitivisht në situatën e punësimit dhe menaxhimin më efikas të ndihmës ekonomike në zonat rurale. Përgjegjësi i zyrës rajonale të punës e përkrahjes sociale në qarkun e Kukësit, Dylber Dafku saktëson: "Edhe pse në 2 muajt e parë të këtij viti nuk janë vërejtur hapje të fronteve të reja të punës, numri i të papunëve është në rënie, si rrjedhojë e rritjes së kontrollit në sektorin privat, që ka minimizuar fenomenin e punës në të zezë". Sipas tij, rritja e kontrollit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional bën të mundur njohjen reale të situatës, por edhe shtimin e efektivitetit të fondeve në favor të familjeve që kanë më tepër nevojë për ndihmë. Kështu, vetëm nga Bashkia e Kukësit brenda një muaji u ul me 120 numri i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike. Për herë të parë, nga ky kontroll, numri i familjeve me ndihmë ekonomike ka rënë gjatë 10 viteve të fundit nën 1600 familje, çka ka ndikuar në rritjen e ndihmës ekonomike nga 56%, në 89% për familjet realisht në nevojë.