Zhani Ciko: “Ilir Kerni nuk krahasohet me Kledi Kadiun”
Petrika GROSI
Duke qenë në fazën përgatitore të baletit “Kopelia”, pjesë që rikthen së shpejti në skenën e Operas dhe Baletit shqiptar balerinin Ilir Kerni, kësaj radhe si koreograf dhe si balerin, pyetëm drejtorin e Përgjithshëm të TKOB-it, Zhani Ciko, mbi arsyet e këtij bashkëpunimi. Veç të tjerash i kërkuam Cikos që të bënte një krahasim mes dy balerinëve më të njohur shqiptarë, pra një ndeshje imagjinare “Ilir Kerni VS Kledi Kadiu”. Duelin për maestro Cikon e fiton pa diskutim Kerni. “Nuk më duket krahasim i drejtë ai i Ilir Kernit me Kledi Kadiun. Kjo për arsyen se Iliri është balerin dhe koreograf profesionist në Teatrin e Operas, ndërsa brezi i ri që e ka përfaqësuar shumë mirë figurën e shqiptarit atje ku punon e jeton, shquhet më tepër në gjininë e spektaklit televiziv. Sado që Kadiu ka dhënë kontribut të rëndësishëm për imazhin shqiptar në Itali, Kerni është një figurë e madhe e artit koreografik profesionist në Shqipëri e Kroaci dhe nuk ka të krahasuar me të...”.
Rikthimi i Kernit nuk është rastësi
Rikthimi i balerinit të njohur shqiptar Ilir Kerni nga Kroacia për të ngjitur në skenën e TKOB-it në Tiranë shfaqjen “Kopelia”, nuk shihet si një rastësi dhe as si diçka e zakonshme nga Ciko, i cili shprehet se “ardhja e artistëve shqiptarë që kanë bërë karrierë jashtë vendit është një nga prioritetet e Teatrit në politikën e tij artistike. Kjo për arsye që siç e kam thënë edhe në raste të tjera, ne Teatrin e konsiderojmë shtëpinë e të gjithë artistëve shqiptarë. Së pari të atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri, por dhe të atyre që janë përfaqësues të kombit shqiptar jashtë shtetit”. Sipas Cikos, Kerni është pa diskutim një ndër përfaqësuesit më tipikë të kategorisë së artistëve të suksesshëm e profesionistë shqiptarë, që nderojnë me emrin dhe punën e tyre kombin tonë. “Kerni është formuar si artist në teatrin shqiptar dhe mbas hapave të parë që bëri këtu, për vite të tëra është solist në Teatrin Kombëtar kroat të Operas dhe Baletit në Zagreb”, – tregon ai, duke vijuar më tej se “formimi i tij artistik, përvoja e gjatë në skena të ndryshme, sensibiliteti dhe talenti i Ilir Kernit bëjnë që të jetë një bir i dashur i shtëpisë sonë. Ardhja e tij disa herë në skenat shqiptare më kujtohet që në festivalet e radios, por dhe në opera ka rrezatuar, përveç talentit të padiskutueshëm, edhe një kulturë artistike të rritur së tepërmi. Gjithashtu, vitet e fundit Iliri ka shfaqur edhe aftësi koreografike”.
“Kopelia”, ose “Vajza me sy smeraldi”
“Kopelia”, e titulluar ndryshe “Vajza me sy smeraldi”, është një balet me dy akte dhe tri skena, me libret të Çarls Nuiter dhe Artur Saint Leon. Koreograf i shfaqjes vjen Ilir Kerni, ndërkohë që skenografia i është besuar Zorz Drausnikut, kostumet Ljubica Uagnerit dhe dirigjimi mjeshtrit Ermir Krantja. Në këtë balet, që do të shfaqet në datat 22-24 dhjetor, interpretojnë I. Kerni, E. Hoxha, E. Birko, G. Vaso, E. Gorani, A. Gjoni, E. Gina, O. Dishnica, E. Tusha, L. Agalliaj, E. Nallbani, J. Onuzi, E. Seraj, F. Hushi, S. Guri, M. Hasani dhe orkestra simfonike e TKOB-së.
Sa i përket baletit “Vajza me sy smeraldi”, historia është marrë nga tregimi “Der Sandmann”, i E. T. A. Hoffmann (1776-1822), shkrimtar romantik dhe kompozitor gjerman.
Subjekti
Në këtë histori janë të lidhur konflikti mes idealizimit dhe realizmit, artit dhe jetës; Franc është joshur të zgjedhë mes gruas perfekte, kukullës Kopelia dhe gruas natyrale, Svanilda. Sheshi i fshatit, me dy shtëpi përbri. Njëra është shtëpia e doktor Kopelius, një personazh i veçantë, prodhues i lojërave pak të çuditshme, dhe shtëpia tjetër është e Svanildës, një adoleshente që jeton me prindërit e saj. Svanilda është e fejuar me Francin. Një ditë ajo del dhe papritur vëren diçka të çuditshme. Në ballkonin e shtëpisë së doktor Kopélius është ulur një vajzë e bukur dhe po lexon një libër. Mund të ishte vajza misterioze e Kopélius, që asnjë në fshat nuk e ka parë. Më kot Svanilda kërkon të tërheqë vëmendjen e vajzës, por duke parë që po arrin Franci, fshihet për t’i bërë një surprizë. Francit, që sapo arrin në shesh, i tërhiqet vëmendja nga Kopélia: Franci tregohet i sjellshëm dhe i dhuron një puthje. Svanilda del nga vendi ku është fshehur dhe e xhelozuar nis të debatojë më Francin. Ndërkohë sheshi i fshatit mbushet me njerëz. Kryetari i bashkisë do të bëjë një deklaratë të rëndësishme...
16 Dhjetor 2008