E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave, bankat japin alarmin për 748 raste të dyshimta



Laureta Rryçi

Tiranë - Bankat në vend vendosin të rrëfejnë llogaritë e dyshimta bankare. Vetëm gjatë vitit 2007 ato kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave 748 raste, të cilat janë presupozuar si të dyshimta nga ana e tyre. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht raportin vjetor të vitit 2007 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Sipas këtij raporti, edhe pse është rritur së tepërmi numri i transfertave elektronike të parave, gjatë vitit 2007, shuma e parave “cash” që qarkullojnë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë është ende e lartë. Raporti, që ka përfunduar vetëm pak ditë më parë, pasqyron të gjitha subjektet që janë inspektuar për pastrim parash dhe rezultatet që kanë dalë. Duke iu referuar raportit mësojmë se cilat subjekte kanë qenë më të pritura për të deklaruar sipas ligjit të gjitha transaksionet me vlera të larta. Nga statistikat dhe raportimet e kryera nga organet doganore ka rezultuar se këto para në shumicën e rasteve qarkullojnë për qëllime tregtie me vendet e rajonit. Subjektet raportuese më të rëndësishme të përcaktuara në ligj janë të gjitha institucionet financiare banka dhe jo-banka, zyrat e këmbimeve valutore, avokatët, noterët, ekspertët kontabël, kazinotë dhe lojërat e fatit, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme etj. Sipas ligjit, subjektet regjistrojnë dhe bëjnë raportimin pranë Autoritetit Përgjegjës për çdo veprim financiar, në rastet kur ka të dhëna ose dyshime të bazuara, në fakte e rrethana konkrete, për pastrim parash si dhe për të gjitha rastet e veprimeve financiare në “cash” dhe/ose transfertave të fondeve për shuma mbi 20 000 000 (njëzet milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera, të huaja, si dhe në rastet kur kanë dyshime për kryerjen e aktiviteteve të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit.
Inspektimet
Sipas raportit, gjatë vitit 2007 janë kryer një sërë inspektimesh në subjektet e ligjit, me qëllim rritjen e bashkëpunimit me to si dhe për të shtuar numrin e raportimeve të transaksioneve të vlerave dhe raporteve të transaksioneve të dyshimta (RTV/RAD). Si rezultat i këtyre inspektimeve është vënë re një rritje e menjëhershme e numrit të raporteve të ardhura në DPPPP, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2007. Në këto raportime ishin të përfshira Raportet të Transaksioneve të Vlerave (RTV), Raporteve të Aktiviteteve të Dyshimta (RAD) si edhe raportet të Transaksioneve “cash” në Kufi (RTKK). Deri në fillim të vitit 2007, i vetmi subjekt i parashikuar në ligj, i cili raportonte rregullisht Raportet e Transaksioneve të Vlerave ishin bankat e nivelit të dytë, ndërsa numri i Raporteve të Aktiviteteve të Dyshimta ishte pothuajse i papërfillshëm. Për vitin 2007 ka subjekte raportuese të cilat kanë nisur raportimin për herë të parë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, menjëherë pas inspektimeve të kryera në vend. Subjekte të tilla janë noterët, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (zyrat vendore nëpër rrethe), zyra të këmbimit valutor, kazinoja si dhe shoqëritë veprimtaria tregtare e të cilave ka të bëjë me tregtinë e mjeteve të transportit. Gjatë inspektimeve të kryera në subjektet raportuese, prioritet u është dhënë subjekteve që
kryejnë transaksione të mëdha financiare dhe atyre subjekteve ku rreziku dhe tendenca e pastrimit të parave është më i madh, duke u mbështetur në parimin e përqasjes në bazë të riskut. Nga tabela e grafiku i mësipërm është konstatuar se subjekte si bankat e nivelit të dytë, shoqëritë e sigurimeve, Departamenti i Administrimit të Shitjes së Pronës Publike dhe shoqëritë që tregtojnë mjete transporti, janë inspektuar pothuajse plotësisht nga inspektorët e DPPPP-së.
Rreziku i bankave
Megjithatë, disa subjekte, si bankat, kanë volumin kryesor të raportimeve, gjë që nuk ndodh me shoqëritë e sigurimeve, prandaj subjekte të tilla përsëri duket se do të jenë në vëmendjen e përfaqësuesve të DPPPP-së, për shkak të nivelit të lartë të riskut që ato mbartin. “Nga ana tjetër, përsa u përket zyrave të noterëve, Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), zyrave të këmbimit valutor, subjekteve financiare jo-bankë, lojërave fatit e kazinove, përqindja e subjekteve të inspektuara është mjaft e vogël, gjë që çon në një përqindje të ulët të inspektimeve në 17% të totalit të tyre”, - thuhet në raport.

Raportimet

Në vitin 2006, numri i Raporteve të Aktiviteteve të Dyshimta të raportuara ishte vetëm 13, ndërsa gjatë 2007-s janë raportuar 748 RAD. Shumë nga këto Raportime të Aktiviteteve të Dyshimta kanë qenë informacione të paraportuara më parë nga bankat dhe që janë konsideruar si të tilla vetëm pas inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Inspektimit. Përsa i përket raportimit të transaksioneve mbi pragun vihet re një rritje jo shumë e lartë dhe graduale, që tregon në fakt për rritjen e volumit të transaksioneve të kryera nga bankat tregtare. Në lidhje me raportimet “cash” në doganat shqiptare, numri më i madh i raportimeve të RTKK-ve vjen nga Dogana e Rinasit. Shuma totale e deklaruar në 5 pikat doganore është: 3 629 040 euro; 3 989 660 USD dhe 11 000 GBR.

Masat e marra për luftën kundër financimit të terrorizmit

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka si fushë të veprimtarisë së saj parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të mundshëm të terrorizmit. Në shërbim të
luftës kundër financimit të terrorizmit janë miratuar 16 urdhra të ministrit të Financave për ngrirje fondesh dhe asetesh, për një periudhë kohore që përfshin vitet 2004-2006. Masat që ndërmerren për të luftuar financimin e aktiviteteve terroriste, që përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe interesat kombëtare, janë parashikuar në Ligjin 9258 ”Për masat kundër financimit të terrorizmit” datë 15.07.2004. Me anë të këtij ligji parashikohen fushat e veprimtarisë së Autoritetit Përgjegjës (DPPPP-së), të cilat kanë të bëjnë me: Monitorimin e vazhdueshëm të tregut financiar si dhe mbikëqyrjen e tij, për të siguruar
përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së tyre në lidhje me masat që duhen ndërmarrë për të mos lejuar që ky sistem të përdoret nga financues të mundshëm të terrorizmit në kryerjen e transaksioneve jo ligjore. Azhurnimin e vazhdueshëm të listës së zezë të OKB-së me anë të propozimit pranë Ministrit të Financave dhe më pas në Këshillin e Ministrave të ndryshimeve që duhen
bërë. Dedektimi, ngrirja për 72 orë dhe më pas sekuestrimi dhe konfiskimi, në bazë të urdhrave të nxjerra nga ministri i Financave, i aseteve apo llogarive bankare të individëve apo subjekteve të listuar në listën e zezë të OKB-së. Bashkëpunimi me homologët nëpër botë në lidhje me financime të mundshme të
aktiviteteve terroriste në vend ose jashtë tij. Bashkëpunimi me institucionet partnere në lidhje me financime të mundshme të
aktiviteteve terroriste në vend ose jashtë tij.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›