Produktet bujqësore zënë 42 për qind të të gjithë volumit të eksporteve
Rreth 42 për qind të vëllimit të përgjithshëm të eksportit në shkallë kombëtare e zënë produktet bujqësore. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, këto eksporte pritet të jenë më të larta pas zbatimit të projektit të subvencionimit gjatë këtij viti, i cili mbështet drejtpërdrejt investimet e fermerëve në sektorin e prodhimit bujqësor. Nga të dhënat zyrtare nga ky dikaster, rezulton se gjatë vitit 2007 janë eksportuar drejt vendeve të Bashkimit Europian, rreth 800 ton perime të freskëta, 2100 ton bimë mjekësore, 242 tonë peshk i përpunuar, 213 tonë perime të përpunuara, 3321 tonë duhan dhe 73 tonë peshk i freskët. Nga të dhënat paraprake të MBUMK-së, edhe për 3-mujorin e parë të këtij viti, eksportet kundrejt vitit të kaluar, kanë shënuar rritje. Shtetet kryesore ku janë drejtuar eksportet shqiptare të produkteve bujqësore kanë qenë Kroacia, Greqia, Italia, Gjermania etj. Mallrat bujqësore vendase janë cilësore me shumë lëndë ushqyese, por për të rritur eksportet, sipas specialistëve, duhet që fermerët të prodhojnë sipas disa standardeve. Sipas MBUMK-së, po punohet në drejtim të nxitjes së konkurrencës së produkteve vendase, rritjen e rendimenteve, konkurrueshmërinë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe sasinë e tij në treg. Kjo do të zgjerojë mundësinë eksportuese dhe si rrjedhojë, zëvendësimin e importeve të produkteve bujqësore, që vazhdojnë të jenë të larta.
17 Maj 2008