E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Vetëm puna e prokurorëve rrit besimin te publiku”



VLORË – Vetëm me punë dhe profesionalizëm rritet besimi i publikut te institucionet e zbatimit të ligjit. Ky ishte mesazhi që dha dje kryeprokurorja Ina Rama gjatë vizitës së parë që bëri në njërën nga gjashtë njësitë e reja të luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në vendin tonë. Ajo ka zhvilluar dje një inspektim në Task-Forcën e ngritur në Vlorë. Kryeprokurorja Ina Rama ka nisur një tur takimesh në rrethe, aty ku janë ngritur njësitë Task-Forcë, për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me njësitë e reja të krijuara në 6 rrethe të vendit. Gjatë takimit me drejtuesin, prokurorë dhe oficerë të Policisë, pjesë e njësisë “Task-Forcë” në Vlorë, Rama ka vënë theksin te përkushtimi në punë dhe profesionalizmi. “Vetëm efektiviteti në punë do të sjellë rezultate. Rezultatet pozitive të arritura nga njësitë “Task- Forcë” do të ndikojnë në rritjen e besimit të publikut te puna që mund të bëjnë organet e zbatimit të ligjit në luftë kundër fenomenit negativ të korrupsionit dhe krimit ekonomik”, - tha Rama gjatë takimit.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u ka kujtuar drejtuesve të Task-Forcës se këto njësi janë ngritur me synimin për të rritur cilësinë e ndjekjes penale, për të rritur numrin e rasteve të ngritjes së akuzës dhe dërgimit në gjykatë të autorëve të veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Masakra e Durrësit, ekstradohet nga Holanda njëri prej autorëve

TIRANË – Ekstradohet nga Holanda një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Sokol Aliaj, 31 vjeç, lindur në Fier, është ekstraduar dje nga Amsterdami i Holandës sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda në Tiranë, më datë 1 nëntor të vitit 2007, e ka dënuar me 20 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën akuzohet Sokol Aliaj ka ndodhur në vitin 2004 në Durrës, kur ai bashkë me vëllanë e tij dhe dy persona të tjera kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe më pas kanë vrarë 37-vjeçarin Robert Mitro. Aliaj u arrestua më 9 tetor të vitit 2008 në Holandë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë gjë e cila u realizua ditën e djeshme.

Tenton të kalojë autostradën, gjen vdekjen i moshuari

DURRËS – Donte të kalonte për te mbikalimi për këmbësorë i rrugës dhe ndërsa kërkonte t’u shpëtonte me vrap makinave, ka gjetur vdekjen prej tyre. Ngjarja fatale i ka ndodhur 74-vjeçarit Rasim Istrefi, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ai është përplasur nga makina në vendin e quajtur “Mbikalimi i Fllakës” në rrugën automobilistike Tiranë-Durrës. I aksidentuari është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit për t’iu dhënë ndihma mjekësore, por nuk ka arritur të mbijetojë dot si pasojë e dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga aksidenti fatal. Ndërkaq, forcat policore kanë nisur procedimi penal ndaj drejtuesit të automjetit që e shkaktoi atë, 43-vjeçarit Sokol Dedndreja, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Dedndreja po drejtonte mjetin “Volkswagen me targa DR 6978 E. “Nga veprimet hetimore të drejtuara nga prokuroria e Durrësit, ka rezultuar se viktima i ka prerë rrugën automjetit të drejtuar nga Dedndreaj. Ndërkaq, materialet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” i kaluan Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.

Plagoset me thikë, sherr me thika mes nxënësve në shkollën 9-vjeçare

KORÇË – Është përsëritur sërish në një shkollë 9-vjeçare incidenti i goditjeve me thika mes nxënësve, pas atij të ndodhur dy muaj më parë në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Tiranë, i cili i rrezikoi jetën një 14-vjeçari. Duket se me gjithë masat e publikuara nga organet e policisë pas kësaj ngjarjeje për mosmbajtjen në mjediset e shkollës nga ana e nxënësve të sendeve të forta si thika apo mjete mprehëse, raste të tilla po përsëriten duke rrezikuar të kthehen në tragjedi mes të miturve. Burimet policore të Korçës konfirmojnë se incidenti i radhës me thika mes dy nxënësve të mitur ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare të shkollës së fshatit Volçisht të rrethit të Korçës. Shkak për të u bë një konflikt që nxënësi i klasës së tetë inicialet V. Ç., i cili u shoqërua me një goditje thike ndaj shokut të tij të klasës, 13-vjeçarit me inicialet E. M. I dëmtuari ndodhet në spitalin e Korçës dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori për shkak të moshës së mitur do të ndiqet në gjendje të lirë. Autoritetet policore kryen lidhur me këtë ngjarje veprimet procedurale për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›