E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave, zyra heton "çdo të dyshuar"

Një vendim qeverie sanksionoi dje që të gjitha autoritetet licencuese ose mbikëqyrëse që veprojnë në Shqipëri të raportojnë te Zyra Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, çdo transaksion që duket i dyshimtë. Vendimi "detyron" një numër të madh institucionesh "të spiunojnë", një gjë që në fakt është detyrim për të gjitha subjektet në Republikën e Shqipërisë në bazë të Kodit Penal. Por në fakt këtu ka një dallim të vockël: sipas Kodit Penal, raste të tilla duhet të raportohen në prokurori, ndërsa sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, duhet të raportohen te një zyrë nën kontrollin e vetë qeverisë. Vendimi detyron një numër të konsiderueshëm institucionesh të raportojnë rastet e dyshuara dhe t‘u përgjigjen të gjitha kërkesave për informacion të Zyrës së Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, pavarësisht se dhënia e informacionit mund të përbëjë shkelje të ligjit të sekretit bankat.

Banka e Shqipërisë do të duhet të raportojë transaksione që mund të duken si të dyshimta mes bankave të nivelit të dytë apo subjekteve të tjera financiare të mbikëqyrura prej saj, sipas vendimit të djeshëm. Të njëjtën detyrë do të ketë edhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale për rastet kur vëren transaksione të dyshimta të kryera nga shoqata jofitimprurëse. Detyrën për të raportuar dhe për t‘iu përgjigjur kërkesave të Zyrës kundër Pastrimit të Parave do ta kenë edhe tregtarët e makinave, qofshin individë apo kompani, si dhe kompanitë e ndërtimit në rastin e shitjes së apartamenteve.

"Autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse i raportojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë, nga çasti i konstatimit të çdo dyshimi, marrja e çdo informacioni ose të dhëne që lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi, për veprimtaritë në juridiksionin e tyre", thuhet në vendimin e djeshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›