E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrojeni njëherë Kepin e Rodonit, pastaj dilni në gazeta e televizione

—-Nga Mentor Kikia—-

Prej disa ditësh, një organizatë e shoqërisë civile ka lançuar një nismë për organizimin e njerëzve të cilët do të punojnë vullnetarisht për pastrimin e Kepit të Rodonit. Shtrimi i rrugës në këtë zonë te mrekullueshme të natyrës shqiptare bëri të mundur që shqiptarët ta shohin edhe këtë pjesë të bregdetit, por bëri të mundur gjithashtu që edhe të kontribohet për pastrimin e mbeturinave që kanë shkarkuar aty lumenjtë, pasi më parë në Kep shkohej vetëm me mushka.

Si një ndër njerëzit, që për disa vite më radhë ka mbledhur mbeturinat në plazhet dhe grykëderdhjet e lumenjve në Shqipëri, e pashë këtë nismë me shumë kënaqësi. E shijova, pasi mu duk si një nga efeket e reaksioneve zinxhir. Pesë vite më parë, kur lançova lëvizjen vullnetariste Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve dhe kur i ftova publikisht njerëzit që të shkonim e të pastronim plazhet e mbytura nga plehrat, më shumë se gjysma e atyre që njihja më quajtën të rrjedhur. Kur shkuam me grupet e para të vullnetarëve të pastronin plazhet, më shumë se gjysma e kryetarëve të komunave nuk dolën të na mbështesin, sepse menduan se kjo është një hile e madhe, të cilës nuk dihet se ku i fshihet koka. Ndërsa tani Korpusi i Vullnetarëve është një rrjet që përfshin mijëra vullnetarë, të rinj, nxënës, studente, artistë, shkrimtarë, nëpunës dhe qytetarë të tjeshtë.

Në këtë kuadër, shijova kënaqësinë e nxitjes së kurajos dhe nismës qytetarë, në të tjera qeliza të shoqërisë sonë që ka aq shumë nevojë për të tilla nisma. Kështu që, kur rashë në kontakt me organizimin e shoqatës Tirana Ekspres, për pastrimin e Kepit të Rodonit, gjëja e parë që më shkoi në mend ishte që t’u bashkohesha atyre që do të bashkohen për të shkuar atje.

Por, ditët e fundit fushata e organizatorëve më ka lënë një shije jo të mirë. Duket se është po ajo sëmundja e vjetër shqiptare. Gazetat janë nxitur të shkruajnë për atë që do të bëhet. Lajme që pushtojnë nga një faqe gazete vetëm me do të. Një mani per të reklamuar se kush janë organizatorët, kush i sponsorizon dhe çfarë do të bëjnë.

Në dukje kjo nuk ka ndonjë gjë të keqe, ndërsa përvoja na tregon se të tilla nisma, ku më shumë janë të interesuar për jehonën në media sesa për produktin real, përfundojnë në qoka dhe këto e demotjnë shumë frymën e civilizimit dhe nxitjes së vullnetarizmit.

Të nderuar kolegë!

Unë nuk kam reshtuar se bërtituri, së apeluari, së shkruari, së punuari kundër ndotjes së mjedisit. Kam pastruar bashkë me mijëra vullnetarë plazhet dhe parqet nga Velipoja deri në Orikum. Kemi organizuar dhjetra e dhjetra aksione vullnetare, ku kanë marrë pjesë nga 200 deri në 500 njerëz. I kemi përdorur dhe i përdorim rrjetet sociale për të përcjellë mesazhet dhe idetë tona. Por ne kemi publikuar foto dhe imazhe të punës sonë, njerëzit me thasë në kurriz që bartnin mbeturina, njerëz që fusnin thonjtë në rërë për të nxjerrë mbeturinat e gruposura Madje ato gazeta që sot publikojnë faqe të tëra se kush është ai që do të pastrojë dhe kush e sponsorizon, refuzuan vite me radhe të publikojnë një foto nga puna e atyre vullnetarëve, pasi në ato aktivitete nuk thuhej se kush i sponsorizon.

Miq të mjedisit!

Punoni njëherë, pastaj dilni në gazeta. Lavdia aty është, ajo vjen vet, edhe pa e përmendur sponsorin, edhe pa ndihmën e gazetave. Nëse do t’i futeni një pune për të menduar se sa shumë do të dilni në televizione dhe gazeta, nuk është mirë. 70 mijë vullnetarë britanikë punuan për mbarëvajtjen e lojrave olimpike Londër 2012. Askush nuk shkruajti për ta përpara. Por në fund, kur lojrat mbaruan, i tërë kombi i nderoi dhe ju përul punës dhe kontributit të atyre burrave e grave.

Ne duam që bashkë me kulturën mjedisore të mbjellim edhe një kulturë të re sociale e shoqërore, larg demagogjisë së politikës e cila thotë vetëm do të dhe jeton vetëm duke dalë në gazeta e televizione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›