E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastronte çiften, plagoset 10-vjeçari

FIER - Plagoset rëndë gjatë pastrimit të armës së babait 10-vjeçari. 

 Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites së djeshme në banesën e familjes Berisha në fshatin Ndërmenas të Rrethit të Fierit. Sipas burimeve policore, i mituri Gazmend Berisha është plagosur nga saçmat e çiftes që po pastronte bashkë me të vëllanë 15-vjeçar, Nuri Berisha. Pas ngjarjes 10-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit dhe më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mësohet se gjendja e tij paraqitet e rëndë, por pa rrezik për jetën. Nga hetimet e ngjarjes ka rezultuar se, të dy vëllezërit ndodheshin pranë njëri-tjetrit, ndërsa në duar mbanin armëm e gjahut që i ati mbante me leje në banesë. Ata kanë marrë çiften me qëllimin për ta pastruar. Nuk dihet nësedhe më parë djemtë ishin marrë me këtë proces, por  vetëm pak minuta më pas të afërmit kanë dëgjuar një krismë të armës dhe me të shpejtë kanë shkuar tek fëmijët. Kur kanë mbërritur në dhomën nga ka ardhur zhurma, ata kanë gjetur djalin e vogël të mbuluar nga gjaku. Menjëherë ata e kanë nisur të miturin drejt spitalit rajonal të Fierit dhe rreth orës 11:30, falë një bashkëpunimi të këtij spitali, policisë së Fierit dhe Ministrisë së Brendshme, me anë të një helikopteri të kësaj ministrie është nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të policisë të Fierit, si edhe një grup hetimor. Pas këqyrjes së vendngjarjes dhe marrjes në pyetje e të afërmve të dy të miturve, është konstatuar se plagosja ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Nga ana e policisë mësohet se arma me të cilën u plagos fëmija ishte armë gjahu çifte me leje dhe në pronësi të babait të tij Gëzim Berisha.                                        m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›