E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Serbia jo më e sigurtë se ne”

Liberalizimi i vizave mes Serbisë dhe BE-së duket se, nuk ka lënë një shije të mirë te Tirana zyrtare. 

Kryeministri Berisha në një intervistë për "Euronews" thotë se, është jorealiste të mendosh se Serbia është më e sigurtë se Shqipëria.
Kryeministër Berisha, mirëserdhët në "Euronews". A mendoni se Shqipëria po diskriminohet në lidhje me lehtësimin e vizave në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit?
Të mendosh se Serbia është më e sigurtë për liberalizimin e vizave sesa Shqipëria kjo është me të vërtetë, me të vërtetë jorealiste. Kjo është arsyeja pse ne presim një përshpejtim të procesit të liberalizimit të vizave.
Domethënë, ju mendoni se Serbia, në këtë pikëpamje është më e rrezikshme se Shqipëria?
Gjërat duhen krahasuar, por vendi im nuk ka pasur kurrë kriminelë lufte aq mizorë, të cilët kanë kryer krimet më mizore në të gjithë rajonin.
Nuk mendoni se është e pamundur të krahasohen krimet te luftës me krimin e organizuar?
Askush nuk mund të mendojë se ata që kryejnë krime lufte të tmerrshme, dhe ata janë kaq të shumtë, kthehen në engjëj. Jo, ata janë padyshim shtylla të krimit të organizuar kudo që ndodhen. Krimi i organizuar, pothuajse kudo në Ballkan, ishte në simbiozë dhe në marrëveshje të fshehtë me ata që ndodheshin në pushtet, për arsye politike dhe përfitimi.
Ju po thoni se krimi i organizuar lindi nga konflikti i viteve '90 në Ballkan?
Ishte tepër, tepër potencial, ishte një krim i bazuar në një trafik të jashtëzakonshëm dhe të madh armësh, dhe lloje të tjera trafiqesh.
Sërish, Bashkimi Evropian duket shumë më i shqetësuar për rreziqet e krijuara nga krimi i organizuar, si p.sh., trafiku i qenieve njerëzore, kontrabanda e drogës dhe probleme të tjera.
Sigurisht, nuk ka më krime lufte, por trafiqet kriminale janë vërtet një fenomen për t`u shqetësuar, por çfarë ka bërë vendi im? Pyesni qeverinë italiane. A kanë më emigrantë ilegalë? Jo, pothuajse asnjë, pasi siç e dini, ne kemi bllokuar motoskafët në ujërat tona detare.
Por, nuk mendoni se një prej pengesave më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar është korrupsioni?
Dy vjet e gjysmë më parë, korrupsioni ishte kthyer në një sistem në vendin tim. Por, ne kemi marrë masa tepër të ashpra në luftën kundër tij. Së pari, ne zgjidhëm konfliktin e interesit në të gjithë administratën. Askush nuk mund të qëndrojë në administratën time, nëse ai apo ajo kanë konflikt interesi. Së dyti, ne kemi vendosur disa kritere në zyrat tona, askush nuk mund të përdorë paratë publike për qëllime private apo personale. Së treti, ne kemi miratuar një ligj për ata që denoncojnë korrupsionin, ata marrin një shpërblim prej 6% të vlerës që ka denoncimi i tyre dhe ata janë të mbrojtur njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda.
Jeni i frikësuar se mos krimi i organizuar në Kosovë mund të infektojë sërish Shqipërinë?
Krimi i organizuar ekziston në Kosovë, por tani me një qeveri Kosovare, si qeveria e një vendi të pavarur, ne do të mund të luftojmë krimin e organizuar me sukses në Shqipëri, Kosovë, kudo që të ndodhet. Por, pavarësia do të jetë një faktor thelbësor në ndihmë të luftës ndaj krimit të organizuar, kudo që ai të ndodhet.

Turi ne Shqipëri

Berisha: 15 milionë euro për pensionet

Kryeministri Berisha tha dje nga qyteti i Korçës se, qeveria do të akordojë rreth 15 milionë euro për kompensimin e rrogave dhe pensioneve, që janë prekur nga rritja e çmimeve muajt e fundit. Sipas kreut të qeverisë, "aktualisht qeveria fiton 10-15 milionë euro nga taksa e grurit dhe e miellit, por nga ana tjetër ka akorduar 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta për bukën që ata blejnë më shtrenjtë". Në të njëjtën kohë Berisha ripërsëriti edhe njëherë vendosmërinë për kompensimin e tyre qindarkë për qindarkë. Kreu i qeverisë i është përgjigjur edhe Ramës për ndërtimin e rrugëve. "Ftoj kryetarin e Partisë Socialiste që dje ishte në Mirditë dhe u tha banorëve se rrugët nuk ishin meritë e qeverisë, që të vizitojë këtë rrugë. Banorët me të drejtë iu përgjigjën: 'Z. kryetar i Partisë Socialiste, rrugët nuk mund të futen në thes. Shko pak më tutje mos ki frikë prej saj'. Prandaj ftojeni kryetarin e Partisë Socialiste këtu, të vizitojë këtë rrugë, sepse atë e ka zënë një frikë e madhe nga rrugët", u shpreh Kryeministri. Ndërsa në fjalën e tij në qytetin e Bilishtit, Berisha tha se: "I siguroj pensionistët e qytetit se këtë vit do të kompensohen një për një për rritjen e çmimeve. Qytetarë të Devollit dhe të mbarë vendit, vetëm në tre vjet kemi vendosur për rritjen e pagave dhe pensioneve 38 miliardë lekë, rreth 450 milionë dollarë kundrejt 33 miliardë lekëve që ka akorduar në 8 vjet qeveria e mëparshme". Para qytetarëve të Devollit Berisha bëri një përmbledhje të arritjeve të punës së qeverisë në të gjitha fushat, duke veçuar luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, Kryeministri e vuri theksin në reformat ekonomike të qeverisë si dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe fusha të tjera.

Rama: Universitetet, fabrika të diplomave pa vlerë

Kryetari i PS-së, Edi Rama kritikoi dje nga qyteti i Elbasanit sistemin arsimor në vend, duke thënë se propaganda e çdo qeverie në këto 17 vite ka mbetur vetëm një demagogji. "Kemi zgjedhur Elbasanin, për vetë traditën e arsimit dhe të kulturës, por edhe ky qytet nuk përjashtohet nga problemet e mprehta në fushën arsimore", tha lideri i PS-së Rama, duke cilësuar se liberalizimi i shkollës së lartë, mund të quhet primitiv, përderisa universitetet tona janë shndërruar në fabrika të diplomave pa vlerë. Sipas tij, "nuk ka liberalizim pa diferencim vlerash dhe dijesh, përkundër do të nxjerrim në jetë njëtrajtshmërinë e të diplomuarve që shumë pak ndryshime kanë nga "ushtria" tjetër e të papunëve në vendin tonë", nënvizoi Rama. Ndërsa në një takim me të rinjtë e Beratit, kreu i PS-së, tha se politika duhet të jetë në dorë të qytetarëve për të rregulluar, sipas tij, ato që nuk u bënë për 17 vjet. "Bashkë duhet të bëhemi duke shkuar përtej të majtës dhe të djathtës, përtej kufijve që ka vendosur politika, që ka vendosur e gjithë kjo atmosferë, ku politika ndikon me helmin e saj të përditshëm. Unë nuk kam ardhur këtu t'ju them se duhet të më besoni mua. Jam këtu t'ju them, që ju duhet të besoni tek vetja. Duke besuar te vetja të bashkoheni. Të gjithë së bashku të bëheni çdo ditë e më shumë, për t'i dhënë jetë një politike të re, e cila në rast se do të jetë në duart e qytetarëve, do t'i detyrojë ata që merren me politikë, duke marrë votat e qytetarëve, që të sillen ndryshe". "Dua t'ju them, që politika nuk ka të bëj me atë shfaqjen e shëmtuar që prej 17-vjetësh të gjithë qytetarët e qytetaret e këtij vendi e ndjekin në kutinë e televizorit, ku një grusht njerëzish grinden, kacafyten, mallkohen me njëri-tjetrin në emër të popullit. Në fakt, populli është kthyer në popull telespektatorësh, ndërsa politika është mbyllur në kutinë e televizorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›