Pasuria, deputetët pa dorëzuar formularin
Dy ditë larg skadimit të afatit të deklarimit të pasurive nga ana e zyrtarëve, deputetët e rinj të Kuvendit, ende nuk kanë depozituar formularin pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive. Sipas burimeve mësohet se jo të gjithë deputetët e Kuvendit nuk kanë depozituar formularin e deklarimit të pasurisë. Një pjesë e deputetëve të rinj të PS-së, sipas burimeve mësohet se ende nuk kanë depozituar deklaratën e pasurisë së tyre. Data 31 mars është afati i fundit i dorëzimit të deklarimit të pasurisë. Mbi 4 mijë zyrtarë, përfshirë edhe të zgjedhurit e popullit janë të detyruar të deklarojnë pasurinë në çdo vit. Pas datës 31, ILDKP-ja do të verifikojë se cilët nga zyrtarët kanë plotësuar detyrimin ligjor. Pas kësaj procedure ILDKP-ja ka të drejtën ligjore dhe të ndëshkojë me gjobë zyrtarët që nuk kanë depozituar sipas afatit formularin e deklarimit të pasurisë. Sot kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla do të raportojë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi punën e kryer gjatë vitit 2009 nga institucioni që ai drejton. Deputetët do të njihen njëkohësisht dhe me një kërkesë nga ana e kreut të ILDKP-së për të realizuar disa ndryshime në ligj, për t'i dhënë më tepër kompetenca këtij institucioni në ushtrimin e detyrës.