E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi, Greqia ndëshkon ushtarakun



BLEDAR HOTI

Akti i ushtarëve të Marinës greke është i papranueshëm dhe se do të ndëshkohen përgjegjësit. Kështu ka deklaruar dje zv.ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Spiro Vujas gjatë një prononcimi për mediat në lidhje me incidentin e ndodhur në ditën kombëtare të Greqisë, ku përfaqësues të Ushtrisë greke lëshuan thirrje raciste ndaj shqiptarëve. Ndërsa ka bërë të ditur se është marrë vendimi për ndëshkimin e atyre personave që lëshuan ato thirrje gjatë paradës ushtarake. "është e papranueshme ashtu siç theksoi edhe vetë ministri. Përveç urdhrit për një hetim është kryer edhe pezullimi nga detyra i oficerit në fjalë. Unë besoj se këta persona nuk kane vend në trupën e Marinës Kufitare, e cila po ndryshon dhe organizohet në një mënyre të ndryshme nga këto sjellje dhe mentalitete", deklaroi Vujas. Dy ditë më parë ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Kristoforidhis e dënoi një akt të tillë, duke bërë të ditur dhe marrjen e masave ndaj ushtarakëve. Reagim për ngjarjen ka bërë edhe Sekretari Ekzekutiv i Rojës Bregdetare të Greqisë, i cili e ka vlerësuar ngjarjen si të rëndë. "E dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të Rojës Bregdetare, të cilët me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as nuk duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për Rojën Bregdetare", tha ai duke shtuar se "roli i Federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të Rojës Bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën". Ndërsa Tirana zyrtare e ka cilësuar si të pa pranueshme një akt të tillë. Zëvendëskryeministri Ilir Meta tha se "ne besojmë se autoritetet greke do t'i përshkallëzojnë masat e tyre ndaj përgjegjësve të këtij incidenti skandaloz që po provokon ndjenjat e miqësisë midis dy vendeve dhe klimën konstruktive të raporteve tona dhe besojmë që ky incident skandaloz jo vetëm që do të ndëshkohet, por do të mbetet i izoluar nga e ardhmja konstruktive dhe miqësore e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve tanë". Pas këtij incidenti, Ambasadori i Greqisë, Nikolaos Pazios i telefonoi ministrit të Jashtëm shqiptar Ilir Meta, ku shprehu në emër të Qeverisë greke falje zyrtare. Gazeta greke "Eleftherotipia" shkruan dy ditë më parë se "me urdhër të kreut të Forcave Detare, Thanasi Bousios, u pezullua kreu i ekipit të polumbarëve, Haralambopulos, i cili është dhe polumbar, ndërsa u kërkua nisje hetimi për të nxjerrë përgjegjësitë e 36 polumbarëve, por nuk përjashtohet dhe thirrja e tyre në Gjykatën Ushtarake".

Shkupi, notë protestë kundër Greqisë

Ministria e Jashtme e Maqedonisë do të dorëzojë sot një notë proteste në zyrën greke të ndërlidhjes në Shkup për parullat raciste të lëshuara ndaj maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve në paradën e Ushtrisë greke në festimet e pavarësisë. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë maqedonase Martin Martinovski i cili deklaroi se ngjarja e ndodhur nuk kontribuon në marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. "Në princip e dënojmë çdo manifestim me fjalim të urrejtjes. Mendojmë se kjo nuk kontribuon në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", tha Martinovski, zëdhënës i Qeverisë. Reagime në Maqedoni për ngjarjen janë bërë edhe nga liderët politikë. Fyerjet dhe parullat raciste janë dënuar nga lideri i opozitës Branko Cërvenkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›