E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria e Trebickës, gruaja kërkon pjesën e djalit të mitur

01/04/2009  Gruaja e Kosta Trebickës kërkon të rinovojë kredinë 800 mijë euro për firmën “Xhoi”

TIRANË- Bashkëshortja e të ndjerit Kosta Trebicka kërkon të administrojë pasurinë e të birit, që e ka trashëgimi nga i ati. Pas vdekjes së dëshmitarit kyç në aferat e përfolura të trafikut të fishekëve e tragjedisë së Gërdecit, në shtator të vitit 2008, kur bashkëshortja kërkoi të bëhej dëshmia e trashëgimisë duke e ndarë pasurinë në tre pjesë, një tjetër kërkesë mbërrin në gjykatë. Ajo kërkon të rinovojë kredinë prej 800 mijë euro që Trebicka kishte marrë. Gjyqtarja Elona Gjoka regjistron për herë të parë në dosjen e saj, emrin e bashkëshortes së dytë të Kosta Trebickës, Brunilda Trebicka. Dëshmitari kyç i procesit të madh të quajtur “Gërdeci” ka lënë pas një pasuri, e cila është ndarë në tre pjesë.

Kërkesa e bashkëshortes

Gruaja e dytë Brunilda, vajza me gruan e parë dhe djali me gruan e dytë që është vetëm 11 vjeç janë tashmë pronarë të shoqërisë së vetme të ndërtuar nga biznesmeni Kosta Trebicka dhe që ka emrin “Xhoi”. Por bashkëshortja e Trebickës tashmë kërkon nga gjykata të administrojë pasurinë që është në emër të djalit. Dhe këtë gjë ajo mund ta bëjë vetëm nëpërmjet një vendimi gjykate. Brunilda Trebicka nuk mund të kryej asnjë veprim në shoqëri për pjesën që ka djali. Ndërkohë nga ana tjetër djali është vetëm 11 vjeç dhe nuk mund të kryej veprime ligjore dhe me bankën deri sa të mbush moshën madhore. Dje Brunilda Trebicka nëpërmjet avokatit të saj përfaqësues Sokol Puto i drejtohet gjykatës. Ishte seanca përgatitore ku Elona Gjoka ka arritur të dëgjoi palët dhe të marrë prej tyre pretendimet. Një tjetër ngërç që ka në pasurinë e Trebickës është edhe një kredi prej 880 mijë eurosh të marrë në bankë në llogari të shoqërisë “XHOI”. Bashkëshortja Brunilda kërkon që të marrë pëlqimin nga ana e gjykatës për të administruar pasurinë e djalit dhe më pas të rinovojë këtë kredi, e cila aktualisht ka mbetur e pashlyer në pjesën më të madhe të saj. Pasuria e Kosta Trebickës me vendim të marrë nga gjyqtari Ilir Mustafaj pas vdekjes në vitin 2008, është ndarë në tre pjesë. Por Brunilda ka të drejtë të administroi vetëm pjesën e saj dhe të djalit të saj. Ndërkohë që për pjesën e vajzës ajo nuk shprehet, pasi vajza është madhore dhe mund ta administrojë vet, ose me anë të nënës së saj me të cilën edhe jeton. Gjykata në seancën e djeshme ka marrë vetëm të dhënat dhe kërkesën e palës kërkuese, për të kaluar në seancë gjyqësore. Pritet që vendimi të jepet brenda pak ditëve. Kosta Trebicka ka regjistruar shoqërinë në emrin e djalit dhe të gruas së dytë e vajës me gruan e parë.

Vendimi i gjykatës

Kompania e ambalazhimit e trashëgimtarët

Në vitin 2006 Kosta Trebicka krijon një kompani ambalazhimi, duke e pagëzuar me emrin "Xhoi". Firma e tij merrej me ambalazhimin e çdo malli të ndryshëm në Shqipëri. Me një vendim të mëparshëm, gjykata ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë për Trebickën, duke shpallur se trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë janë: bashkëshortja Brunela Trebicka (Krasniqi); e bija Genta Trebicka dhe i biri Xhoi Trebicka, ku secili nga këta trashëgojnë nga një e treta pjesë të të gjithë pasurisë që ndodhet në emër të trashëgimlënësit Kosta Trebicka. Po kështu, gjykata është shprehur se bashkë me të drejtat trashëgimtarëve do tu kalojnë edhe detyrimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›