E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasurim të mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Izrael

21-06-2013 / Gazeta 55

Presidenti Nishani takon homologun e tij izraelit, presidentin Shimon Peres 

Në kuadër të vizitës së tij në Izrael, presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një takim nga homologu i tij izraelit, Shimon Peres. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, Presidenti i Izraelit, pasi e falenderoi Presidentin Nishani për pjesëmarrjen në Konferencën e 5-të Presidenciale dhe vizitën në Izrael, vlerësoi marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë si të veçanta, duke evidentuar zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë dhe konsolidimin demokratik. Më tej, Presidenti Peres vuri në dukje mundësitë e shumta për pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat.  Nga ana e tij, Presidenti Nishani, pasi uroi homologun Peres për 90-vjetorin e tij, vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve duke vënë në dukje se bazuar në miqësinë tradicionale dhe të shkëlqyer mes dy popujve dhe mundësitë praktike që ofrojnë Shqipëria dhe Izraeli, ka shumë hapësirë për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat.  Presidenti Nishani vuri në dukje kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit, për bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, duke shtuar se pas marrëveshjes Serbi - Kosovë, Shqipëria pret mbështetjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur. Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Nishani siguroi homologun e tij izraelit se qëndrimi i Shqipërisë nuk do ndryshojë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë pranë Izraelit në përpjekjet e tij për paqe. Presidenti Peres në përgjigje u shpreh se shqiptarët e meritojnë plotësisht miqësinë e popullit izraelit dhe se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë shembull i shkëlqyer se si dy vende të ndryshme mund të kenë përqasje të njëjta për çështje shumë të rëndësishme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›