Pasuritë, Adriatik Llalla merr detyrën
Adriatik Llalla mori dje zyrtarisht detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kalimi i stafetës u krye në një takim të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në Pallatin e Brigadave, ku ishte e pranishme edhe znj. Fatmira Laska, e cila e drejtoi institucionin për periudhën 2003-2008. Më pas, Llalla, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, dhe nga Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, Artur Metani, u prezantua me stafin e ILDKP-së. Në fjalën e tij para punonjësve, Llalla shprehu vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës dhe Kuvendit e Shqipërisë për besimin që i dhanë duke e zgjedhur në krye të Inspektoratit të Lartë, si edhe shprehu bindjen se puna e suksesshme e deritanishme e institucionit do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai ishte një ndër dy kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës për drejtues të ILDKP-së më 14.7.2008 dhe u zgjodh në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Shqipërisë më 9.10.2008. Llalla, me profesion jurist, ka lindur më 9.10.1969. Ka kryer më parë detyrën e; prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë, prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Kavajë, prokuror dhe titullar në Prokurorinë e Rrethit Fier, zv.titullar dhe prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, si edhe kryetar i Këshillit të Prokurorisë.