Pasuritë, ILDKP: Prokuroria mbyll dosjet e zyrtarëve të lartë
Prokuroria ka zvarritur hetimin deri në mbyllje të procesit për tre zyrtarë të lartë, të cilët kanë fshehur pasuritë e tyre. Kjo ishte akuza që bëri dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve kryeinspektori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Adriatik Llalla, gjatë prezantimit të raportit të punës së këtij institucioni për vitin 2009. Duke prezantuar raportin përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Llalla theksoi se standardet e prokurorisë në çështjet e çuara për hetim nga ana e ILDKP-së, kanë qenë të dyfishta. Kështu, Llalla shpjegoi se nga 16 raste të çuara në prokurori, vetëm për 13 prej tyre ka pasur zgjidhje. Sipas kryeinspektorit, prokuroria ka mbyllur çështjet e tre prej këtyre zyrtarëve dhe bie në sy se niveli i tyre është i lartë. Sipas Llallës, dosjet janë mbyllur për një zyrtar të Kuvendit, prokuror dhe diplomat.
“Ajo që na shqetëson është mbajtja e standardeve të ndryshme. Zyrtarët lokalë procedohen, por për zyrtarët e niveleve të larta çështjet zvarriten dhe kanë thuajse të njëjtin përfundim, pushohen. Në rastin konkret bëhet fjalë për një prokuror rrethi, një zyrtar i zgjedhur nga Kuvendi, një ambasador”, deklaroi Llalla. Por, sipas drejtuesit të ILDKP-së, për këto raste të pushuara ky institucion ka vënë në dijeni edhe institucionet e tjera shtetërore, të cilat nuk kanë reaguar. “Për këto raste kemi vënë në dijeni institucionet eprore, Prokurorinë e Përgjithshëm, Presidentin dhe Kuvendin. Në asnjë rast nuk kanë reaguar për shqetësimin tonë”, u shpreh Llalla dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Në lidhje me punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar theksoi se ILDKP-ja ka çuar për ndjekje penale 16 zyrtarë dhe ka gjobitur 37 të tjerë. Sipas Llallës, kjo shifër mund të konsiderohet e ulët krahasuar me një vit më parë. “Këtë vit janë marrë masa me gjobë ndaj 37 zyrtarë, 50% më pak se një vit më parë, kjo falë punës ndërgjegjësuese, si dhe ndërgjegjësim të vetë zyrtarëve për përmbushjen e detyrimeve në afat”, doli në konkluzion kryeinspektori. Po kështu, Llalla foli dje në komision edhe për rastin e gjobitjes së një anëtari të KKRT-së dhe një punonjësi të Bashkisë së Tiranës. Pas pyetjeve të ardhura nga anëtarët demokratë të komisionit për këtë çështje, Llalla theksoi se ILDKP-ja ka konstatuar konfliktin e interesave në mbledhjen e KRT-së së Bashkisë së Tiranës lidhur me pjesëmarrjen e dy anëtarëve, Alban Eftimi dhe Arben Biçoku, në vendimmarrje dhe për këtë ka marrë masë administrative me gjobë. “Për këta dy anëtarë është vendosur gjoba 300 mijë lekë dhe 200 mijë lekë. Mbi këtë vendim KRT-ja ka vendosur pezullimin e lejes së ndërtimit. Dy anëtarët kanë ankimuar vendimin në Gjykatën e Tiranës dhe çështja vazhdon shqyrtimin”, theksoi Llalla në lidhje me këtë rast. Po kështu, kryeinspektori deklaroi se në asnjë rast Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kishte bërë kërkesë ndaj këtij institucioni për konflikte interesi për gjyqtarët e vendit.
#