Drejt unifikimit zyrat e licencimeve
Qeveria shqiptare miratoi dje zgjerimin e fushës së aktivitetit të Agjencisë Kombëtare të Licencimit, duke atashuar aty edhe zyrat e aplikimeve për leje minerare dhe energjetike. Projekti synon të lehtësojë punën e bizneseve që kanë nevojë për licenca të posaçme për kryerjen e aktivitetit të vet.
“Në mbledhjen e sotme u diskutua mbi Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e kësaj qendre pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave”, njoftoi Këshilli i Ministrave. Zyra e re do të pranojë aplikimet për kërkim koncesionesh për prodhimin e energjisë nga burime të ndryshme, por koncesionet do të vijojnë të ndjekin të njëjtën rrugë si më parë. Për më tepër, për shkak se shumica dërrmuese e koncesioneve të mundshme janë marrë sakaq, agjencia e re nuk pritet të ketë shumë punë.
Qeveria shqiptare filloi të punojë për lehtësimin e procedurave burokratike të të bërit biznes në Shqipëri në vitin 2007, pas kritikave që erdhën nga një raport i Bankës Botërore. Që nga ajo kohë u krijua Qendra Kombëtare e Regjistrimit, si dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Synimi ishte që bizneseve të reja t’u krijohen mundësitë të kryejnë të gjitha regjistrimet brenda një jave. Por burokracitë në total duket se thjesht sa u transformuan. Sot, një biznes i ri, pasi të regjistrohet në QKR duhet të kryejë praktikisht të njëjtën sorollatje nga zyrat e tatimeve të bashkisë, te minibashkitë apo te tatim-taksat për të kryer pagesa të ndryshme e për t’u pajisur me dokumente të ndryshme. Për më tepër, problemet më të rënda me të cilat përballen bizneset e reja, si p.sh. certifikata e freskuar e pronësisë, pajisja me leje ndërtimi etj., vijojnë të kërkojnë shumë kohë. Kështu, për të marrë certifikatë pronësie për një pronë ekzistuese kërkohet zyrtarisht dy javë e praktikisht shumë muaj, ndërsa lejet e ndërtimit janë praktikisht të pamundura për shkak të konflikteve të vazhdueshme politike mes pushtetit qendror e atij vendor.
#