E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë ndryshon nga janari 2010

02/08/2009  ERE: Afati deri më 30 shtator

Kompania çeke CEZ ka afat deri më 30 shtator për të sjellë propozimet e saj për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas drejtuesve të Entit Rregullator të Energjisë, tanimë që CEZ është pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka afat deri më 30 shtator për të aplikuar për tarifat e reja që do të zbatohen nga 1 janari 2010. “Deri tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë, por afati është deri më 30 shtator”, – u shpreh dje për mediat Eduart Lezi, drejtor juridik në ERE. Gjatë këtij viti, çmimi i energjisë nuk pësoi ndryshim. Viti 2009 u konsiderua si një periudhë tranzitore për qeverinë, ashtu edhe për pronarin e ri të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompaninë CEZ. “ERE nuk jep mendime paraprake lidhur me nivelin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Enti Rregullator i Energjisë do të kryejë të gjithë procedurat dhe më pas do të dalë me një vendim”,- shpjegoi Lezi. Metodologjia që do të përdorë Enti Rregullator i Energjisë për shqyrtimin e kërkesës për rritjen e çmimit të energjisë do të jetë e njëjtë me atë të zbatuar gjatë viteve të mëparshme. Atë bëjnë të ditur se do të analizohen shumë faktorë gjatë këtij procesi. Për këtë qëllim seancat dëgjimore me të gjithë palët e prekura do të zgjasin deri në mes të dhjetorit. Ky është edhe afati kur Enti Rregullator i Energjisë pritet të japë vendimin. Ekspertët e ERE-s e lidhin këtë fakt edhe me furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike. Kjo do të çojë detyrimisht në rritje të çmimit të energjisë. Nga ana tjetër, sipas ekspertëve, sasia e importit dhe konjukturat e tregut ndërkombëtar për importin e energjisë elektrike janë sërish faktor që ndikojnë negativisht në çmimin e energjisë elektrike. Nga ana tjetër është edhe niveli i humbjeve që aktualisht ndikon në rritjen e çmimit të energjisë, apo investimet. Duke marrë parasysh faktin se privatizuesi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është një subjekt privat, norma e fitimit do të jetë në rendin normal, jo më e vogël se interesat bankare. Rritja e çmimit të energjisë elektrike që mund të përfshijë të gjithë llojet e konsumatorëve vjen edhe si rezultat i pandryshueshmërisë gjatë këtij viti, kur nuk pati rishikim të çmimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›