Shqipëria vazhdon ti japë energji Kosovës
Dhënia e energjisë bëhet në bazë të një marrëveshjeje e cila kërkon që kompensimi të bëhet në muajt e verës
KUKËS - Shqipëria vazhdon të furnizojë me energji elektrike Kosovën. Sasia e furnizimit është 150 megavatorë energji elektrike. Kjo sasi energjie i jepet Kosovës, pavarësisht se HEC-i i Fierzës vazhdon të qëndrojë i mbyllur që nga fillimi i këtij muaji. Por kjo sasi e energjisë elektrike që eksportohet në Kosovë bëhet nga prodhimi në hidrocentralin e Komanit. Burime të dispeçerisë në HEC-in e Komanit bëjnë të ditur për “Shekulli”-n se një linjë e këtij hidrocentrali transmeton energji elektrike vetëm për Kosovën, përmes linjës Koman-Fierzë, ndërkohë që pjesa tjetër transmetohet në Tiranë. Sasia e energjisë elektrike që eksportohet në Kosovë është 150 megavatorë. Sipas këtyre burimeve, kjo sasi energjie transmetohet gjatë 24 orëve dhe është bërë në vazhdimësi që nga rënia e reshjeve të bollshme që kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme situatën hidrike në liqenet e kaskadës së lumit Drin. Situata e favorshme hidrike, sipas specialistëve të HEC-it Koman, garanton vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike të Kosovës përmes linjës së tensionit të lartë 220 kilovolt Koman-Fierzë-Prizren. Specialistët e këtij hidrocentrali deklarojnë se kemi të bëjmë me një situatë mjaft e favorshme hidrike në liqenet e kaskadës së lumit Drin, ku Komani dhe Vau i Dejës janë në kuotat maksimale me tendencë zbritjen, ndërkohë që Fierza ka njohur rritje të ndjeshme, pasi, që pas fillimit të reshjeve, portat e këtij HEC-i vazhdojnë të jenë të mbyllura. Që nga nisja e reshjeve në fillim të këtij muaji, portat e hidrocentralit të Fierzës vazhdojnë të jenë të mbyllura, ku në këtë hidrocentral nuk prodhohet asnjë kilovatorë energji elektrike. Prodhimi i energjisë elektrike vazhdon në Koman dhe Vau i Dejës. Këto dy hidrocentrale punojnë me kapacitet të plotë përgjatë 24 orëve. Në hidrocentralin e Komanit janë në punë katër agregate, të cilët nuk prodhojnë me kapacitetet maksimale, por secili prej tyre prodhon me një fuqi prej 85 mega, ndërkohë që fuqia e instaluar e një agregati është 125 mega. Në bazë të përllogaritjeve, në hidrocentralin e Komanit prodhohen 340 megavatorë energji elektrike. Ndërkohë edhe HEC-i i Vaut të Dejës është në punë me kapacitet të plotë. Pesë agregatët e instaluar të këtij hidrocentrali, prodhojnë energji elektrike me 50 megavatorë secili, e barabartë me 250 megavatorë energji elektrike. Gjatë muajve të pranverës Shqipëria ka depozituar në Kosovë rreth 180 milionë kilovatorë energji elektrike. Depozitimi i sasisë së energjisë elektrike në Kosovë bëhet në bazë të marrëveshjes së firmosur me 25 prill të këtij viti në mjediset e HEC-it Fierzë në mes të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe Koorporatës Elektroenergjitike të Kosovës. Marrëveshja ka si qëllim përmirësimin e efiçensës së kaskadës së lumit Drin, si dhe përmirësimin efurnizimit meenergji elektrike për konsumatorët e të dy vendeve. Në bazë të marrëveshjes, Shqipëria do të furnizojë Kosovën me energji elektrike në formëne depozitimit gjatë muajve të pranverës. Sasia e energjisë elektrike të depozituar në Kosovë nga Shqipëria, në bazë të marrëveshjes do të kthehet nga KEK-u në muajin gusht, por kjo sasi do të jetë 15 përqind më e madhe se sa sasia e depozituar nga ana e KESH-it.