Shpërthen bombola e gazit, vdes një fëmijë, 4 të plagosur
Një fëmijë nëntë vjeç ka vdekur dhe katër persona janë plagosur pas një shpërthimi gazi të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Lapardha të Beratit. Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit në një pikë shpërndarjeje të gazit, dhe sipas burimeve të policisë, shkaqet kanë qenë mosrespektimi i normave të sigurisë. Një bombol e vogël 10 litërshe shpërtheu, duke bërë që të humbte jetën e mitura Ardenisa Cani, e cila ishte duke luajtur afër vendit ku ndodhi ngjarja. Gjithashtu, të plagosur nga ky shpërthim janë edhe dy prindërit e fëmijës, Suzana dhe Beqir Cana, shoferi i autobotit që transportonte gazin e lëngshëm, Dashamir Haka dhe një punonjës i forcave të policisë, i cili po përpiqej që të largonte flakët nga cisterna që ndodhej aty pranë dhe objektet përreth. Megjithatë, pasojat do të ishin shumë më të mëdha, nëse do të shpërthente autoboti i ngarkuar me gaz të lëngshëm.
Një bombol gazi 10 litërshe me gaz shpërtheu ditën e djeshme në orën 11:40 në fshatin Lapardha të Beratit. Ngjarja ndodhi në oborrin e familjes Canaj, 12 kilometra larg Beratit. “Autoboti me gaz kishte ndaluar dhe po furnizonte një bombol të vogël 10 litërshe në oborrin e shtëpisë së shtetasit Beqar Canaj, pronar i një pike të tregtimit të gazit në këtë fshat”, - njofton policia e Beratit. Sipas hetimeve të policisë, ka qenë pakujdesia ajo që ka çuar në shpërthimin e zjarrit, që i mori jetën 9-vjeçares Ardenisa Canaj dhe plagosi rëndë prindërit e saj Beqar dhe Zana Canaj, përkatësisht 42 dhe 35 vjeç. Si pasojë u dëmtua rëndë dhe drejtuesi i autobotit, Dashamir Haka, 52 vjeç. Megjithatë, ishte ndërhyrja e një punonjësi të policisë, i cili ndodhej aty në ato momente dhe arriti që të mbyllte rubinetet e autobotit dhe ta zhvendoste atë në një vend tjetër, ku ai nuk do të rrezikonte të shpërthente. Kështu u shmang shpërthimi i 30 mijë litrave gaz të lëngshëm, të cilat do të kishin shkaktuar një katastrofë të vërtetë, nëse do të kishin shpërthyer. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spitalin e Beratit për t’u mjekuar, por gjendja e tyre ka qenë e rëndë. Mjekët e spitalit kanë vendosur që t’i sjellin menjëherë për një kurim më të specializuar në spitalin e Tiranës.