E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pato: Luajmë si të barabartë për titullin

Tri javë përpara startit të Serisë A, sulmuesi nuk sheh diferenca mes Milanit dhe Interit

Gjatë sezonit të kaluar, duhej të kishte bërë hopin cilësor dhe të shndërrohej në një kolonë për Milanin, por edhe të ishte një prej protagonistëve të Brazilit në Botërorin 2010. Por, kjo nuk ndodhi. Vitin e kaluar Aleksandre Pato u detyrua të qëndronte për shumë kohë jashtë fushave të lojës, për shkak të problemeve fizike: ai humbi thuajse gjysmën e kampionatit, megjithatë arriti të realizonte 12 gola në Serinë A dhe 2 në Champions League. Shifra mjaft të mira për sulmuesin brazilian, megjithatë ato nuk ishin të mjaftueshme për të luajtur në Afrikën e Jugut, pasi trajneri Karlos Dunga vendosi ta përjashtonte nga “seleçao”. Edhe gjatë kësaj vere, Pato paraqitet në vijën e nisjes me synimin për të bërë një paraqitje edhe më të mirë, pavarësisht se një tjetër dëmtim në kavilje e ka detyruar të qëndrojë në bokse, tashmë kur mungojnë vetëm 19 ditë nga starti i kampionatit. “Tani ndihem më mirë, nuk kam asgjë për t’u shqetësuar”, deklaroi braziliani për “Corriere dello Sport”. “Pësova një ndrydhje në kavilje në ndeshjen kundër Arsenalit, por për asnjë moment nuk e kam ndërprerë stërvitjen dhe punën për t’u rehabilituar plotësisht. Ndjeva dhimbje dhe i trembesha faktit se mund të isha dëmtuar përsëri, megjithatë nuk bëhet fjalë për ndonjë problem serioz”.
20-vjeçari do të jetë gati për ndeshjen e parë të Serisë A, ku Milani pret në “San Siro” Leçen. “Gjatë edicionit të kaluar, Milani ishte inferior në krahasim me Interin, ndërsa pësuam humbje në të dyja ndeshjet derbi. Megjithatë, në sezonin e ri gjithçka do të jetë ndryshe: nuk ndihemi të dobët përballë asnjë kundërshtari, madje as përballë Interit. Kemi shanse të njëjta me zikaltërit për të fituar titullin kampion”. Merkato e “Djallit” nuk ka qenë në lartësinë e një skuadre që pretendon maksimumin në kampionat, megjithatë kuqezinjtë do të tentojnë të triumfojnë duke u mbështetur pikërisht te dyshja ofensive Pato-Ronaldinjo, të cilët qëndruan te Milani. “Jam i lumtur që do të qëndroj te kjo skuadër dhe mbi të gjitha jam i kënaqur që do të vazhdoj të luaj përkrah Ronaldinjos. Për mendimin tim, ai nuk ka menduar për asnjë moment të largohet…”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›