E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Benitez nuk do të jetë më i suksesshëm se unë

Rafa heq fotot e luzitanit nga klubi zikaltër, nis polemika në distancë “Nëse fiton Botërorin e klubeve, ai është trofeu im”

Reali i Madridit ka mbyllur turneun përgatitor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me fitoren 3-2 në miqësoren përballë Los Anxhelos Galaksi në “Rouz Boul”. Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo ka dhënë sinjale pozitive në prag të sezonit të ri, që për “merengues” do të startojë më 29 gusht me ndeshjen kundër Majorkës. Nga Amerika, trajneri portugez është rikthyer te polemikat, e para në drejtimin e gjigandëve spanjollë. Ashtu si ka bërë edhe më parë kur punonte në Angli dhe Itali, megjithatë, këtë radhë “shënjestra” nuk është asnjë prej kolegëve në La Liga, por një “armik” i vjetër.

Bëhet fjalë për Rafa Benitez, teknikun që e zëvendësoi tek Interi. Në një intervistë të dhënë për “Sunday Times”, ai ka sulmuar ish-trajnerin e Liverpulit, pas zërave se Benitez ka kërkuar që të hiqen të gjitha fotot e Murinjos nga qendra stërvitore e zikaltërve në “Apiano Xhentile”. Një lëvizje e cila e ka tërbuar “specialin”. “Diçka është e sigurt, shumë e sigurt: Benitez nuk do të jetë kurrë më i suksesshëm se unë. Ai nuk ka asnjë shans. Mund të them edhe me më shumë siguri se nëse Benitez do të fitojë tek Interi, Botërorin për klube (Kupën Interkontinentale), këtë do ta realizojë vetëm falë dy ndeshjeve, të cilat nuk janë asgjë në krahasim me 13 sfidat që fitova unë. Për këtë arsye, Kupa Interkontinentale do të jetë e imja, jo e tija”. Rreth zërave për kërkesën e heqjes së fotografive, Mou shtoi: “Personalisht nuk kam nevojë për fotografi që të dua njerëzit të cilët kam rreth vetes. Afeksionin e kam në zemër. Kur punoja tek Interi nuk kërkova të hiqeshin fotot e Herreras dhe të Mançinit. Nëse Rafës nuk i pëlqejnë fotot e mia nuk ka asnjë problem. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë në klubin zikaltër”.

Marrëdhëniet me Interin, të cilave u shtohen sukseset me zikaltërit, është një faktor që Murinjo nuk e harron. Madje, ai ende i cilëson kampionët e Italisë dhe Europës si skuadrën “e tij”, në të njëjtin nivel me çelsin. Tekniku portugez u emërua në Madrid me synimin për të rikthyer trofeun e Champions League në “Santiago Bernabeu”, e nëse Reali do të arrijë deri në finalen e edicionit të ri, ai shpreson që të ketë si kundërshtare një prej dy ish-skuadrave. Objektivi është i qartë: që t’i mposhtë dhe të jetë vetë fitues. “Benitezit i uroj shumë suksese, jo sepse më pëlqen, por sepse është trajneri i skuadrës time, i tifozëve të mi dhe i presidentit tim. Do të më pëlqente të luaj kundër zikaltërve në finalen e ‘Uemblit’. Si kundërshtar do të preferoja Interin ose çelsin, pasi edhe blutë janë skuadra ime. Një tjetër ekip që do të më pëlqente të kisha përballë në finalen e Champions-it është Mançester Junajtid, skuadra e Sër Aleks Ferguson, një trajner të cilin e kam admiruar gjithmonë. Objektivi personal? ‘Grand Slam’-i, të triumfojë në tri ligat më të mëdha europiane. Një arritje që deri më tani askush nuk e ka realizuar”, përfundoi Murinjo.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›