E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pato refuzon PSG, Milani ngrin bisedimet për Tevez

ITALI- Dukej gjithçka e mbaruar: Pato te Paris Sent Zhermen dhe Tevez te Milani. Por, pasditen e djeshme ndryshoi fati i të gjithëve dhe u përmbysën skenarët. Braziliani "ngriu" ofertën e ardhur nga Franca, duke deklaruar përmes uebsajtit të klubit: "Unë do të qëndroj te Milani". Menjëherë pas kësaj, administratori Adriano Galiani ka ndërprerë tratativat në Londër me drejtuesit e Mançester Sitit për Karlos Tevez. Ndërsa në Paris, ku të gjithë mendonin se gjithçka përfundoi për të marrë Paton, kanë mbetur të shokuar. Oferta e fundit e PSG-së dhe drejtorit të këtij klubi, Leonardos, shkonte në 28 milionë euro, plus 7 të tjerë bonus dhe një kontratë tre vjeçare 6-7 milionë euro në vit për futbollistin. Pas drekës, Pato ishte vetëm një hap larg të veshurit të fanelës së PSG-së, sidomos pasi Leonardo paraqiti superofertën prej 35 milionë eurosh në total. E përditshmja franceze "L'Equipe" nxitoi të konfirmonte në edicionin e saj on-line se mes dy klubeve u arrit akordi dhe braziliani do të vishte fanelën e skuadrës pariziene.

KOMUNIKATA
Në konferencën e prezantimit të Maksuell, drejtori i përgjithshëm i PSG-së Leonardo deklaroi se ishte optimist për marrëveshjen. "Nuk besoj se Pato do të vijë këtë fundjavë, por unë jam optimist. Gjërat po shkojnë përpara, por të shohim, ka kohë", tha ai. Një orë më pas, rreth 16.30, në Paris ra "ngrica", kur Milani publikoi në uebsajtin e tij një komunikatë: "Aleksandre Pato do të mbetet kuqezi. Sulmuesi ka vendosur të vazhdojë me Milanin karrierën e tij të re, të shkëlqyer dhe fituese" Pato ka komentuar: "Milani është shtëpia imë. Nuk doja ta ndërprisja karrierën time me këtë klub pasi kam fituar dy trofetë e mi të parë. Dua të kontribuoj të shkruaj historinë e Milanit, në harmoni perfekte me këtë ambient. Ky gëzim do të më japë motivim të përballojë ndeshjet e ardhshme me më shumë entuziazëm, dëshirë për të fituar dhe për të bërë gola. Falënderoj presidentin Berluskoni, klubin dhe tifozët, që gjithnjë kanë besuar te mua".

TEVEZ
Ndërsa zhvilloheshin tratativat për shitjen e Patos, Adriano Galiani në mënyrë paralele ishte duke biseduar me drejtuesit e Mançester Sitit për kartonin e Karlos Tevez. Ai u nis drejt Londrës në orën 10 të paradites, bashkë me avokatin Leandro Kantamesa dhe agjentin e FIFA-s Xhuzepe Riso. Pas mbërritjes në Angli, drejtuesit e Milanit kanë nisur bisedimet për të marrë argjentinasin, duke kërkuar huazimin e tij falas deri në fund të sezonit dhe më pas blerjen e detyruar prej 25 milionë eurosh, plus 3 të tjera bonus. Takimi nisi rreth orës 14 në lagjen Marylebone të Londrës, ku Siti përfaqësohej nga presidenti ekzekutiv Xhon Mek- Bith dhe administratori Brajan Manud. Dukej gjithçka e përfunduar, pasi Milani do të merrte paratë nga Paris Sent Zhermeni për shitjen e Patos. Madje, presidenti i Interit Masimo Morati deklaroi se Tevez do të shkonte te Milani. "Po, mendoj se do të shkojë te Milani", tha ai. Pas tre orësh tratativash, Galiani ndërpreu gjithçka, pasi mori vesh për komunikatën e Patos. Një lamtumirë apo një mirupafshim? Vështirë ta thuash, pasi të dy klubet nuk nxorrën asnjë deklaratë. Për momentin, oferta më e mirë për Mançester Sitin mbetet ajo e paraqitur nga Interi.
(ma.ar/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›