E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca suedeze premton heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë

Organizmat ndërkombëtare rreshtohen në mbështetje të vendimit për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, që mes 1 janar 2010 Pas debateve në parlamentin evropian dhe kundërshtimit të hapur që i është bërë prirjes ndasore ndaj vendeve të rajonit, lidhur me heqjen e regjimit të vizave, ka reaguar edhe Presidenca suedeze e BE, duke deklaruar se në projektin e lëvizjes së lirë, duhet të përfshihet edhe Shqipëria. Presidenca e Bashkimit Evropian, inkurajon qeverinë shqiptare për të mbyllur problemet teknike në kohë rekord, në mënyrë që vendi të përfitojë nga lëvizja e lirë, në 1 janar 2010. Kryesuesja e radhës e Presidencës së Bashkimit Evropian, Suedia, shprehet me optimizëm për liberalizimin e vizave të Shqipërisë. Kësisoj, pas debateve në parlamentin evropian, ku përfaqësuesit e këtij institucioni u shprehën kundër ndasive rajonale në Ballkan dhe i bënë thirrje KE-së që të përfshijë edhe Shqipërinë në listën e vendeve që do të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave, edhe Presidenca suedeze deklaron se me përmbushjen e kushteve kjo do të jetë fakt i kryer. Përfaqësuesja e Presidencës Suedeze të BE-së, Anna Creanen nënvizon se edhe Shqipëria e meriton lëvizjen e lirë dhe për arritjen e këtij objektivi, është nën monitorim, për realizimin e kushteve. “Shqipëria do t’i bashkëngjitet procesit të liberalizimit të vizave. Ne jemi duke monitoruar realizimin e kushteve dhe menjëherë pasi të konkludohen pozitivisht këto, Shqipëria do të ketë të gjitha mundësitë e përfitimit”, u shpreh ajo. Për sa i takon shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat, përfaqësuesja e Presidencës suedeze në Bashkimit Evropian u shpreh se aplikimi i Shqipërisë duhet të shqyrtohet sa më shpejt, për ti hapur rrugë komisionit,me vlerësimet e tij. “Aplikimi i kandidaturës së Shqipërisë, uroj të shqyrtohet sa më shpejt, në mënyrë që komisioni të mund të nisë përpilimin e opinionit. Ne llogarisim që të mund t’i dërgojmë Komisionit aplikimin e Shqipërisë së shpejti për të dhënë opinionin e tij, tashmë që procedurat zgjedhore kanë përfunduar”, u shpreh Creanen. Këto deklarata, mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit, përfaqësuesja e Presidencës suedeze të BE-së i dha gjatë takimit të parë të komitetit të përbashkët konsultativ të shoqërisë civile mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë. Ndërkohë, dy ditë më parë u bë e ditur se komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme në Parlamentin Evropian do të shqyrtojë raportin mbi liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor. Komiteti pritet të votojë mbi këtë raport sipas draftit të përpiluar nga eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, e cila argumenton se vendimi politik për heqjen e vizave për vende të tilla si Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, duhet të shoqërohet me një deklaratë e cila nxit Shqipërinë dhe Bosnjën që të arrijnë vendet fqinje. Ndërkaq, gjatë debatit të javës së kaluar Parlamentit Evropian, eurodeputetët i kanë kërkuar Komisionit Evropian, që me anë të një vendimi politik, t’u mundësohet shtetasve shqiptarë lëvizja pa viza në hapësirën “Shengen”, që në fillim të vitit të ardhshëm. Propozimi mirëkuptohet nga Zëvendëspresidenti Zhak Barrot. Në selinë e Parlamentit Evropian një vendimmarrje e tillë është pasuar më pas me një debat - ku u përfshi edhe komisioneri për drejtësi Zhak Barroso - lidhur me procesin e heqjes së vizave për vendet e Ballkanit. Komisonieri Barroso është shprehur se do të dëshironte që në këtë proces të përfshiheshin qysh tani edhe vende si Shqipëria, Bosnjë Hercegovina apo Kosova. Eurodeputetët që e morën fjalën në debat, kërkuan që edhe këto vende të përfshiheshin në projekt, në bazë të një vendimi politik të marrë nga BE. Duhet mundësuar që edhe qytetarët nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova duhet të hyjnë lirisht në vendet e Bashkimit Evropian, duke nisur nga 1 janari i viti 2010-s. Pritet që në muajin tetor, Parlamenti Evropian të formulojë rezolutën e cila do të votohet më pas në muajin Nëntor, e cila do t’i kërkojë Komisionit Evropian që deri në mesin e vitit 2010, edhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor t’u mundësohet lëvizja lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Në votimin e rezolutës do të përfshihen 27 ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian. Ky proces pritet të mbyllet në fund të vitit. Nëse gjithçka shkon mirë, në fillim të janarit të vitit 2010 pritet të nisë liberalizimi i vizave për këto tri shtete. Po ashtu, me nota optimizmi është shprehur edhe kryeministri Sali Berisha, pas takimeve intensive që ka zhvilluar në Nju Jork, me përfaqësuesit më të lartë të Brukselit. Shefi i ekzekutivit, ka bërë me dije se ka marrë garancinë nga BE që Shqipëria të përfitojë shumë shpejt nga lëvizja e lirë dhe njëherazi edhe shqyrtimin e kërkesës për statusin kandidat në Union. Sipas kreut të qeverisë, çështja e vizave do të zgjidhet brenda pak muajsh, pasi të vetmet probleme të mbetura janë teknike e aspak politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›