E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy doganierë të Rinasit



Etleva Delia

Katër doganierë të Rinasit, bashkë me dy tregtarë dhe shoferin e këtyre të fundit, akuzohen se janë përfshirë në skemën e kontrabandës së mallrave, kryesisht veshmbathje, që vinin nga Turqia në Tiranë. Rasti i fundit ishte kalimi pa doganë i mbi 600 kostumeve për femra të importuara nga Greqia. Dy prej doganierëve u arrestuan dje, ndërsa dy të tjerët po ndiqen në gjendje të lirë. Operacioni i Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, u finalizua me arrestimin e dy doganierëve, dy tregtarëve, një shoferi dhe me hetimin në gjendje të lirë për dy doganierë të tjerë. Gjatë aksionit u sekuestrua edhe sasia e konsiderueshme e veshjeve që kishin mbërritur nga Turqia dhe që kaluan kontrabandë në Doganën e Tiranës. Hetimi filloi rreth tre muaj më parë, pasi tregtarët dyshohej se kryenin kontrabandë, ndërsa kishte informata se abuzimi kryhej në bashkëpunim me doganierët. Pasi kanë vëzhguar për disa muaj veprimet e biznesmenëve dhe doganierëve, agjentët e policisë kanë ndërhyrë për t'i kapur në flagrancë të implikuarit. Në momentin kur avioni që vinte nga Turqia ka zbritur në Rinas, agjentët kanë ndjekur ngarkimin e dy automjeteve me mallra dhe më pas kanë vëzhguar lehtësirat e krijuara në doganë. Policia tha se dy automjetet, një "Benz" dhe një "Ford", me targa të Tiranës, u ndaluan në kilometrin e 6-të të autostradës Tiranë-Durrës, sapo kanë kaluar mbikalimin e Rinasit, në drejtim të kryeqytetit, pasi kishin lënë pas doganën pa kryer asnjë pagesë. Pasi është kontrolluar dokumentacioni i mallit të ngarkuar në automjete, ka rezultuar se ato ishin të pa zhdoganuara dhe pa asnjë dokument shoqërimi. Për të gjitha këto lehtësira, tregtarëve Renato Sinoimeri e Astrit Sela, u kanë ardhur në ndihmë doganierët, Basri Toçilla e Gjin Dedndreaj, të cilët janë arrestuar. Ndërsa doganierja Peme Paço dhe përgjegjësi i turnit në Doganën e Rinasit, Sokol Gashi, po hetohen në gjendje të lirë.
OPERACIONI
“Rinasi 1”
Oficerët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar të Tiranës kanë përfunduar në orët e para të ditës së djeshme operacionin e koduar "Rinasi I", pasi kishin hetuar përgjatë tre muajve skemën e kontrabandës. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se në sajë të informacioneve të vlefshme mbi veprimtarinë e tyre, u bë e mundur kapja në autostradën Tiranë -Durrës, në afërsi të kilometrit të gjashtë, të 5 personave të përfshirë në kontrabandë mallrash. Doganierët dhe tregtarët e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar të kalojnë në pikën Doganore të Rinasit një sasi malli, që pasi u kontrollua rezultoi se nuk kishte dokumente shoqërimi, duke mundësuar më pas transportimin e tyre me automjetet tip "Benz", me targë TR 0883 K dhe "Ford Fiesta", me targë TR 8693 M. Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 680 kostume femrash, 500 forma për femra, 60 funde, si dhe dy automjetet me të cilat po transportoheshin mallrat nga Rinasi në drejtim të Tiranës. Malli vinte nga Stambolli, kalonte në Rinas pa ndonjë problem, falë lehtësirave që krijoheshin nga doganierët e arrestuar, e më pas reklamohej për shitje në tregun e "Medresesë". Të arrestuarit tashmë do të përballen me akuzat, "kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore", "kontrabandë me mallra të tjera", si dhe "tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë".

te dhena

TE ARRESTUAR
1. Basri Toçilla, 37 vjeç, doganier
2. Gjin Dedndreaj, 61 vjeç, doganier
3. Renato Sinoimeri, 37 vjeç, tregtar
4. Astrit Sela, 57 vjeç, tregtar
5. Shkëlzen Hasani, 37 vjeç, shofer

Hetim në gjendje të lirë
1. Peme Paço, 45 vjeç, doganiere
2. Sokol Gashi, 51 vjeç, përgjegjës turni në degën e Doganës Rinas.

U SEKUESTRUAN
680 kostume femrash
500 manekine për femra
Vetura "Benz" me targë TR 0883 K
Vetura "Ford Fiesta" me targë TR 8639 M

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›